Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi Ndryshe, se nisma “Dhuro zërin”, ka pasuruar bibliotekën dixhitale të dedikuar për fëmijët që nuk shikojnë, ku përmes leximit të veprave dhe botimeve të ndryshme, 40 persona i janë bashkuar kësaj iniciative të veçantë.
Manastirliu ishte sot në Qendrën Burimore për Nxënësit që Nuk Shikojnë, bashkë me Emiljanon dhe aktoren e njohur Marjeta Larja, për t’i dhënë zë nismës “Dhuro Zërin”. “Përgjatë një viti, shumë figura të njohura i janë bashkuar nismës, duke kontribuar në ngritjen e bibliotekës digjitale për nxënësit me probleme të shikimit”, u shpreh ajo.
Qendra Burimore për Nxënësit që Nuk Shikojnë është e hapur dhe mirëpret të gjithë ata që duan të ndihmojnë për të pasuruar bibliotekën digjitale me më shumë libra, duke u bërë një dritare dijeje për fëmijët që nuk shikojnë, por që, përmes librit, mund të shohin botën.
“Kjo shkollë, si dhe dy shkollat e tjera speciale, “Luigj Gurakuqi” dhe “Ramazan Kabashi”, këtë vit janë transformuar në Qendra Burimore, për më shumë mundësi dhe më shumë shërbime për fëmijët me aftësi të veçanta”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja theksoi se më shumë se 40 lexues i janë bashkuar kësaj fushate, ndërsa bëri thirrje që të tjerë persona t’i bashkohen nismës për ta pasuruar edhe më shumë bibliotekën dixhitale të kësaj qendre.
“Kënaqësi që të jem këtu, bashkë me Emilianon që drejton qendrën Burimore për personat që nuk shikojnë dhe me aktoren e madhe Marjeta Ljarjan për t’i shprehur mirënjohjen të gjithë atyre që i janë bashkuar nismës “Dhuro zërin”, për të pasuruar bibliotekën dixhitale të kësaj qendre burimore me shumë libra të lexuar tashmë. Mbi 40 lexues i janë bashkuar kësaj nisme që do i vlejë të gjithë fëmijëve që aksesojnë dhe mësojnë në këtë qendër, por edhe të tjerë Brenda dhe jashtë vendit. Në këtë ditë ndërkombëtare të Personave me Aftësi Ndryshe, dua t’i bëj një thirrje të gjithë atyre që duan t’i bashkohen kësaj nisme “Dhuro zërin”, se qendra është e hapur dhe i mirëpret që të vazhdojmë ta pasurojmë këtë qendër burimore”, tha Manastirliu.
Aktorja Marjeta Ljarja e vlerësoi këtë iniciativë duke thënë se ajo dhe kolegë të tjerë do i bashkohen me dëshirë nismës, ndërsa vepra që ka zgjedhur të lexojë është një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare, “Përralla të moçme” nga Mitrush Kuteli.