Kryetari i PD, Sali Berisha ka ironizuar mazhorancën duke u shprehur se “e ka kthyer Kuvendin e Shqipërisë në sallon bukurie”. Berisha tha se në Parlament “bëhet paradë mode”.

“Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet”, u shpreh ish-kryeministri, i cili shtoi se “unë shkoj aty në platformë, mezi qëndroj nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme”.

Berisha theksoi se në Parlament bëhet paradë luksi, bizhush e parfumesh, ndërsa shtoi se qeveritarët shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 euro në javë.

Deklarata e plotë e Berishës: 

Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë as zërin e Zotit, as të xhamisë, as të kishës, as të teqesë, të njeriut. Janë verbuar nga luksi. Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet. Unë shkoj aty në platformë, mezi qëndroj nga aromat, nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme.

Aty bëhet një paradë luksi, bizhush, parfumesh sikur je në një sallon mode dhe jo në një parlament përfaqësues të qytetarëve. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur blen stolinë e oborrit 4 milionë euro. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur shpenzon 21 milionë euro udhëtime me Ismailin e famshëm. Nuk mund t’ia dinë ministret që ulen në tavolinë me biftekun 1 mijë euro. Nuk mund t’ia dinë qeveritarët që shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 euro në javë. Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb