Vendi ynë ka plot monumente kulture të cilat tregojnë histori e dëshmi të së kaluarës tonë. Të gjitha këto monumente janë nën mbrojtjen e shtetit pasi janë shpallur të tilla që para viteve 90-të. E tillë është edhe kulla 300 vjeçare e Salë Markes në fshatin Zogjaj të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë. Që prej vitit 1986 kjo kullë mban statusin Monument Kulture.

Kulla e Salë Markes mendohet se është ndërtuar në vitet 1830-1840, dhe është vendosur në hyrje të fshatit, në një bazament shkëmbor në pjesën fundore të kodrës që ulet ngadalë në tarracat e krijuara enkas për ndërtimin e shtëpive të fshatit. Kulla është e lartë 15.4 m. Themeli është lëshuar 7 m i gjatë dhe 6.10 m i gjerë, trashësia e mureve është 0.85 m, ndërsa muret e avllisë i ka 1 m të gjerë.

Historia tregon se kjo kullë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në periudhën e luftës kundër somanëve, pasi Salë Markja bashkë me Sheh Mustafa Zerqanin etj, udhëhoqën betejën kundër Hajredin Pashës. Por sot kjo kullë jo vetëm që ka mbetur pa pasardhësit e familjes Markja, por edhe nga institucionet shtetërore.

Rrënimi i këtij monumenti kulture të veçantë do të ishte një humbje e madhe për historinë dhe kulturën e zonës, ndaj kërkohet të bëhet ndërhyrje urgjente nga ana e institucioneve përgjegjëse si Ministria e Kulturës apo drejtoritë në varësi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: