Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bëri të ditur se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.
Vuçiç shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiç.
Takimet e shefes së re të diplomacisë së BE-së me krerët e Kosovës dhe Serbisë, mbahen disa ditë pas një shpërthimi në një kanal të ujit në Zubin Potok të Kosovës.
Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast. Kallas, që nisi mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ndërmjetësojë procesin e dialogut, që ka nisur më 2011.