Dinamo po zhvillon një sezon pozitiv, teksa synon një vend për “Final Four”. Drejtori sportiv i bluve, Luan Pinari, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24 foli për pritshmëritë e skuadrës, objektivat dhe gjithashtu edhe për ndërhyrjet e mundshme në merkato.
Pinari, 24 pikë në 15 javë, vendi i katërt, jeni të kënaqur me ecurinë deri në këtë pikë të sezonit?
Jemi të kënaqur, jo vetëm për pikët, por edhe për mënyrën si po shkojnë gjërat. Po bëhet një punë e mirë te skuadra dhe te grupi. Kështu, po marrim këto rezultate.
Jo vetëm Dinamo, por thuajse të gjithë ekipet, mbase përjashto vetëm Partizanin, nuk janë të qëndrueshëm në rezultate, nuk kemi një ekip dominues këtë sezon, pse?
Kjo ndodh pasi ekipet nuk kanë diferenca. Po të shikosh Partizanin që nuk ka humbur shumë, është se rezultatet e shumta janë barazimet, janë rezultatet e ngushta dhe ndeshjet e fituara me një gol diferencë. Ka rivalitet, ndaj nuk ka diferenca të mëdha.
Po arbitrimi ju shqeteson Pinari, si do e vlerësoni deri në këtë pikë, marrë shkas dhe nga deklaratat e forta të Refik Halilit, si janë bilancet e juaja si klub me arbitrimin?
Çështja e arbitrimit është temë delikate. Me vendosjen e VAR-it, gabimet janë minimizuar dhe është krijuar një besim më i madh te gjyqtarët. Ajo që nuk mund të tolerojë çdo skuadër janë gabimet që mund të shmangen me VAR, por që në fund nuk shmangen. Apo, disa gjëra që nuk shikohen në mënyrën e duhur, apo le të themi, siç e shikojnë në lupë një skuadër, ndërsa një t jetër, e shikojnë në mënyrë tjetër. Ka pluse dhe minuse. Nuk jam për teorinë e kompensimit.
Pinari, udhëroni në Shkodër këtë të mërkurë, çfarë ndeshje pret, cili është objektivi i Dinamos?
Dinamo futet në fushë për rezultat pozitiv. Vllaznia është ekip i vështirë për t’u mundur. Luajmë në Shkodër, në një vend që e do futbollin. Bëhet fjalë për një ndeshje tradicionale, le t’ia lejmë fushës.
Jeni afër kreut, dy pikë larg, dhe plus 6 nga vendi i pestë, ku e sheh më shumë Dinamon, në garë për vendin e parë, apo të sigurt në “final-four”?
Kampionati është i ccuditshëm dhe i paparashikueshëm. Po të shikosh lart, do ngjitesh lart. Po shikove posht, mund të të merren mendt dhe mund të biesh. Ne shikojmë gjithmonë lart. Dinamo është ndërtuar për të parë lart.
Pinari, keni bërë një plan me Dajën, ku do të ndërhyni në janarë, çfarë plani keni?
Çdo skuadër ka nevojë për merkaton e janarit. Nëse do kemi organikën e plotë, kemi shumë pak për të ndërhyrë dhe kemi besim të plotë te organika që kemi. Nëse do vijë një lojtar që do jetë mbi këta futbollistë, është i mirëpritur. Merkato më e mirë do të jetë rikthimi i të dëmtuarve. Kemi besim te organika.
Kush janë rivalët e Dinamos?
Egnatia ka kualitet, por edhe Partizani që është skuadër cinike. Vllaznia dhe Dinamo ngjasojnë pak, pasi bëjnë futboll të bukur. Kjo është katërshja që shkon deri në fund për titullin kampion.
(J.S/BalkanWeb)