Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në emisionin “Opinion” në News24 tha se opozita duhet të përdorë të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshi edhe Kuvendin, për të dhënë alternativën e saj.

Tabaku tha se ka qenë e idesë se përdorimi i vetëm një elementi, protestave, nuk mund të japë rezultat, ndërsa u shpreh se opozita, strukturat dhe deputetët e saj, duhet të lëvizin në terren, të komunikojnë me qytetarët, që presin të dëgjojnë alternativën tonë.

“Protestat nga një anë, komunikimi me qytetarët në terren, por edhe salla e Kuvendit, janë 3 elementë që duhet të kombinohen, për ti dhënë qytetarëve mesazhin tonë.

Besoj shumë fort jo vetëm te komunikimi qytetar, por edhe në të gjitha platformat, përfshi edhe Kuvendin, për të dhënë alternativën tonë. Qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë.

Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me minatorët, me profesionistët e lirë, kolegë të tjerë kanë qenë të angazhuar në takime me qytetarët, me shtresa të ndryshme, në zonat e tyre elektorale,  por edhe kjo nuk ka qenë në dinamikë të plotë. Besoj se ky është një moment shumë i mirë për tu ringritur”, tha Tabaku.

E pyetur nëse mund të arrohet Qeveria teknike, Tabaku tha se në 2017 u arrit kjo gjë, ndërsa shtoi se  e rëndësishme në politikë është të qëndrojnë aktet.

“Shqipëria që ka hapur negociatat nuk mund të diskutojë më nëse i organizojmë dot zgjedhjet e lira ose jo. Kjo qeveri që është tani ka treguar se nuk mund të organizojë zgjedhje të lira. Ndaj Qeveria teknike është një opsion shumë i mirë për organizimin e zgjedhjeve”, tha Tabaku.

Dhe në këtë kuadër, ajo u shpreh se nga Qeveria ka fillur abuzimi lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, duke përdorur jo vetëm ambasadorët por deri te bonusi i pensionistëve për fushatë.

“Unë mendoj se PD ka sfidën e zgjedhjeve dhe e gjithë partia është sot e bashkuar të paktën në masën 90-95%”, tha Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb