Në emisionin Vetting në News24 u trajtua çështja e tenderave publikë, ku gazetarët nga investigimi zbuluan se 35 nga 100 tenderat më të mëdhenj të 2021, janë pa garë dhe me negocime të drejtpërdrejta.
Sipas gazetarëve të Vetting, një prej tenderave, që bie në sy është organizuar nga Bashkia Durrës me mbështetje nga programi i Rindërtimit për “Rehabilitimin e Infrastrukturës së Rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë” me ofertë fituese 19,7 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit, me një diferencë të papërfillshme më konkurrentin.
Në deklaratën e Open Data për tenderat e 2021 theksohet se “spikat fakti që në 100 tenderat më të mëdhenj, janë 35 kontraktime me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, me pak fjalë tenderime RedFlag pa garë”.
Madje nga 10 tenderat me vlerën më të lartë për vitin 2021, 6 prej tyre janë pa garë pasi janë skualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e vetme e mbetur në tender.
Të 6 tenderat janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe lidhen me infrastrukturën e Unazës së Jashtme të Tiranës.
Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj është e vështirë që disa operatorë të japin një ofertë sa fondi limit, duke theksuar se në këto raste ka shumë indicie që gara për tenderin të jetë e rregulluar.
Një prej tenderave, që bie në sy është organizuar nga Bashkia Durrës me mbështetje nga programi i Rindërtimit për “Rehabilitimin e Infrastrukturës së Rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë” me ofertë fituese 19,7 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit, me një diferencë të papërfillshme më konkurrentin.
Është një prej procedurave të prokurimit që është denoncuar nga emisioni “Vetting” pasi përveç procedurës së dyshimtë, njëra nga kompanitë e përfshira në konsorciumin fitues është “ADRIATIK” shpk, në pronësi të babait të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellësit Durrës, Spartak Kovaçi, rast që është nën hetim nga SPAK.
Nëse në vitin 2021 ka disa kompani, që kanë konkurruar dhe kanë shkuar deri në fund të garës, në vitin 2022 situata është më e rëndë pasi të gjitha procedurat janë me redflag. Nga 10 tenderat më të mëdhenj për këtë vit, ku shumica janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha kompanitë janë skualifikuar duke u shpallur fituese kompania, që thjesht plotësonte kriteret.
Në vitin 2023 ka patur raste që kompanitë kanë bërë ankesë siç është rasti për tenderin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për “Ndërtimin e Institucionit për Edukim dhe Rehabilitim të të Miturve” me fond limit 19.2 milionë euro. Në këtë rast, institucioni më i lartë në fushën e prokurimeve, Komisioni i Prokurimeve Publike e ka rrëzuar ankesën dhe ia ka deleguar si rast Agjencisë së Prokurimeve Publike për të realizuar një hetim administrativ.
Një rast tjetër nën hetim nga SPAK, që mund të ishte me pasoja tragjike lidhet me shembjen e aksit Ersekë-Korçë, ku një ditë më pas në 17 shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme do të niste hetimet për dy kompanitë “A & E ENGINEERING” dhe “A.N.K”. Kjo është një tjetër kompani, e cila ka fituar tender në 2023 duke u skualifikuar konkurrentët e tjerë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 20.8 milionë euro.
Dy tendera të tjerë të vitit 2020, tenderi i Autoritetit Portual të Durrësit për shërbimi i menaxhimit dhe operimit të Terminalit të Konteinerëve në portin e Durrësit dhe tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë nën hetim nga SPAK.
Sipas ekspertit Çakaj, në sektorin e prokurimeve publike në këto 4 vitet e fundit po e hasim gjithmonë e më shpesh nënshkrimin e kontratës me një vlerë sa fondi limit, e cila është e dëmshme për menaxhimin e fondeve publike.
“Së pari, këtu kemi vrasje të garës, sepse teorikisht një procedurë prokurimi ku konkurrojnë disa operatorë ekonomikë, në një garë të ndershme do duhet që secili të japi ofertën e vet dhe oferta do duhet të ketë konkurrueshmëri”, deklaroi për “Vetting” Muharrem Çaka.
Në mbyllje të raportit për vitin 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bënte kallëzim për tenderin e uniformave të policisë të realizuar në korrik 2020 nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Nga hetimet e SPAK do të arrestoheshin dhe dënoheshin anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shkelje të ligjit të Prokurimit Publik dhe favorizim të kompanisë që fitoi tenderin.
(BalkanWeb)