Prokuroria e Posaçme ka marrë autorizimin nga GJKKO për kontrollin e telefonit të bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Lajmi u konfirmua nga BalkanWeb.

Mësohet se agjentët e BKH kanë shkuar në banesën e Veliajt për të kryer kontroll në telefonin e Xoxës, ndërsa sqarohet se nuk ka pasur kontroll banese.

Ndërkohë SPAK me anë të një njfotimi thotë se janë ndërmarrë disa veprime hetimore, ndërsa hetimi është ende në fazën paraprake.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Veliaj po hetohet nga SPAK për inceneratorët, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.

Veliaj vizitë në Gjermani
Ndërkohë që agjentët kanë shkuar në banesën e kryetarit të bashkisë, mësohet se ai nuk ndodhej aty, pasi është në një vizitë dy ditore në Hamburg të Gjermanisë.

Ai është pritur në një takim edhe nga Kryebashkiaku i Parë i Hamburgut, Peter Tschentscher. Gjithashtu, ai ka zhvilluar takime edhe me Presidenten e Parlamentit të Hamburgut, Carola Veit, si dhe me anëtarë të Komitetit për Çështjet Europiane.

Gjatë ditës së sotme, ai do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të Dhomës së Tregtisë së Hamburgut, ku pjesëmarrëse do të jenë kompani gjermane të interesuara për të investuar në Shqipëri.

Hetimet per Veliajn
Kujtojmë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.

Në muajin maj ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.

Më 30 prill, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në Prokurorisë së Posaçme, ku për rreth 8 orë dëshmoi për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb