Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali ka dhënë një mesazh me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë. Spiropali shkruan se sot ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030.
“8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.
Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”, ishte më e fortë se çdo parrullë, kongres, anti-miting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.
Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!”, deklaron Spiropali.