Kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë e Lirisë, Esmeralda Demiraj ishte sot e ftuar në Neës24 ku foli për 8 dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë, por edhe çështje të aktualitetit politik.
Demiraj tha se 8 Dhjetori, fuqinë e ka te të rinjtë, por sipas saj sot s’ka më të rinj në Shqipëri pasi janë larguar.
“Të rinjtë janë larguar nga politikat kombëtare të arsimit. Partia e Lirisë ka hartuar plane të mëdha për të rinjtë. Ne sot kemi shumë të rinj të shkolluar, por që e kanë pamundur të punojnë”, tha Demiraj.
Më tej ajo u ndal tek arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta. Demiraj e cilësoi të paligjshëm dhe tha se lufta dhe misioni i PL-së vazhdon.
“Jemi në një masakër të tmerrshme ekonomike dhe sociale. Nuk është e lehtë që lideri të jetë në burg. Partia e Lirisë ka pasur një agresion kohët e fundit të qëllimshëm. Jemi në një vend që vidhen votat, opozitarët persekutohen”, tha Demiraj.
Sa i përket protestës para SPAK dhe mungesës së Partisë Demokratike, ajo tha se nuk mungon mbështetja nga PD dhe se nuk ka asgjë për të krijuar perceptime të gabuara.
“Protesta në SPAK ishte një proteste e zhvilluar vetëm nga Partia e Lirisë. Mbështetjen e PD-së ne e kemi parë që ekziston. Protesta para SPAK ishte e PL.
Z.Berisha ka deklaruar që çështjen e arrestimit të z.Meta do ta çojë në institucionet ndërkombëtare. Perceptimi i gabuar, kështu që as mos ta themi e mendojmë. Për sa kohë që z.Berisha ka bërë një deklaratë në mbështetje të z.Meta nuk ka pse të ketë keqkuptime.
Protestat do vazhdojnë. Lirimi i z.Berisha sjell një frymë më të madhe pozitive. Krijon besimin që gjërat do të shkojnë më mirë”, tha zyrtarja e PL-së.