Kryesia e PS diskutoi sot për votën e diasporës teksa vendi i afrohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë angazhim nga strukturat e PS, por edhe kryebashkiakët socialistë.
Rama ka propozuar ngritjen e një database të dhënash për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Mësohet se kryesocialisti ka lënë një afat tre javor për Sekretariatin Organizativ i cili në koordinim me drejtuesin politik duhet të çojnë përpara këtë propozim. Kjo platformë do të mundësonte krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta me emigrantët me të drejtë vote. PS synon maksimalizimin e votës së shqiptarëve jashtë vendit për zgjedhjet e pranverës 2025.
Socialistët e konsiderojnë prioritet votën e diasporës, ndërsa që nga momenti kur Asambleja e PS caktoi drejtuesit politikë në qarqe, një i tillë u ngarkua posaçërisht edhe për shqiptarët jashtë vendit, ish-ministri i Brendshëm dhe ministri aktual i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
(BalkanWeb)