Komisioni i Venecias, krahas publikimit të raportit për çështjen e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, ka shpërndarë edhe një deklaratë për mediat.
Venecia sqaron se i është përgjigjur pyetjeve që ka marrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me pretendimet për papajtueshmërinë e mandatit të socialistes.
Në shpjegimet e përmbledhura në njoftimin për mediat, Komisioni i Venecias thekson se ka përcaktuar “papajtueshmërinë” si një situatë që pengon deputetët të përmbushin mandatin e tyre për shkak të konflikteve me një funksion tjetër, publik ose privat.
“Normalisht, personat që gjenden me dy funksione të papajtueshme duhet të zgjedhin njërin prej tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë, pasoja zakonisht është humbja e mandatit. Standardet ndërkombëtare imponojnë pak papajtueshmëri, si p.sh. midis të qenit deputet dhe gjyqtar. Në shumicën e vendeve, organet legjislative rrallë kanë fjalën e fundit në përcaktimin e papajtueshmërisë, por një apel në një gjykatë të zakonshme ose kushtetuese është i mundur.
Sa i përket pyetjes nëse një Gjykatë Kushtetuese mund të krijojë norma të reja, Komisioni i Venecias u përgjigj se krijimi i normave të reja kushtetuese është i rezervuar për legjislativin, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka për detyrë interpretimin autoritar të normave ekzistuese.
Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme mbi këtë çështje”, thuhet më tej në njoftimin e bërë publik.
Raportin prej 15 faqesh, mazhoranca dhe opozita e lexuan ndryshe duke thelluar edhe më tepër çarjen mes krahëve të politikës lidhur me këtë çështje.
Deklarata e plotë
Me kërkesë të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias) ka përgatitur opinionin e tij mbi zbatimin nga Parlamenti të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.
Në kontekstin e anulimit nga Gjykata Kushtetuese të dy vendimeve të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen e papajtueshmërisë së një prej anëtarëve të tij në këtë Gjykatë, Komisioni i Venecias iu përgjigj disa pyetjeve të përgjithshme të ngritura nga Kryetarja e Kuvendit. Parlamenti Shqiptar njohu natyrën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por kërkoi mendimin e Komisionit mbi mënyrën e përmbushjes së kësaj detyrimi. Komisioni i Venecias nuk komentoi apo interpretoi vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese.
Së pari, Komisioni iu përgjigj pyetjeve si: cilat standarde rregullojnë mandatin e një deputeti në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe në cilat rrethana një deputet mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar? Komisioni shqyrtoi në thellësi marrëdhënien midis parimit të mandatit të lirë në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe karakterit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi detyrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një element kyç i shtetit të së drejtës. Ky respekt nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare. Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare, por nëse Kushtetuta përcakton fuqinë e parlamentit për të vendosur mbi një çështje të caktuar, përmbajtja e kësaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të diktohet.
Së dyti, Komisioni trajtoi standardet ndërkombëtare mbi papajtueshmërinë, si dhe praktikën shtetërore në këtë fushë, duke përfshirë rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore. Komisioni përcaktoi “papajtueshmërinë” si një situatë që pengon deputetët të përmbushin mandatin e tyre për shkak të konflikteve me një funksion tjetër, publik ose privat. Normalisht, personat që gjenden me dy funksione të papajtueshme duhet të zgjedhin njërin prej tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë, pasoja zakonisht është humbja e mandatit. Standardet ndërkombëtare imponojnë pak papajtueshmëri, si p.sh. midis të qenit deputet dhe gjyqtar. Në shumicën e vendeve, organet legjislative rrallë kanë fjalën e fundit në përcaktimin e papajtueshmërisë, por një apel në një gjykatë të zakonshme ose kushtetuese është i mundur.
Sa i përket pyetjes nëse një Gjykatë Kushtetuese mund të krijojë norma të reja, Komisioni i Venecias u përgjigj se krijimi i normave të reja kushtetuese është i rezervuar për legjislativin, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka për detyrë interpretimin autoritar të normave ekzistuese.
Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme mbi këtë çështje.
(BalkanWeb)