Punëtorët në nëntë fabrika të Volkswagen në të gjithë Gjermaninë vazhduan grevën dhe përfaqësuesit e sindikatave paralajmëruan se demonstratat do të përshkallëzoheshin në vitin 2025 nëse drejtuesit nuk do të plotësojnë kërkesat e punëtorëve.

Dhjetëra mijëra punonjës që i përkasin sindikatës IG Metal ndaluan punën në orën 9:30 të mëngjesit me orën lokale të hënën. Protesta ka zgjatur dy orë, ndërsa ka vazhduar edhe në turnin e mbrëmjes, kur edhe puna është ndërprerë për dy orë, raporton Reuters.

“Kudo, në të gjitha vendndodhjet, në të gjitha turnet, punonjësit e Volkswagen do të ndalojnë punën, jo për dy orë si herën e kaluar, por për katër orë”, tha kryenegociatori i sindikatës IG Metal, Torsten Greger.

Ai paralajmëroi mundësinë e protestave të mëtejshme në vitin 2025, duke thënë se “fishekzjarret e Vitit të Ri do të shoqërohen me një përshkallëzim të tillë që kjo kompani nuk e ka parë” nëse firma injoron sindikatat.

Greger deklaroi se drejtuesit e Volkswagen kanë “një shans të fundit” për t’u rikthyer në rrugën e duhur për të arritur një zgjidhje të përbashkët në dy javët e ardhshme.

Volkswagen planifikon të mbyllë tre fabrika në Gjermani dhe të pushojë nga puna mijëra punëtorë për të ulur kostot, por sindikatat po bëjnë presion për zgjidhje të tjera që do të kursenin vendet e punës dhe do të mbronin të drejtat e punëtorëve.

Punëtorët, të cilët kanë refuzuar çdo ulje pagash ose mbyllje fabrikash, mund të rrisin presionin mbi Volkswagen duke organizuar greva që zgjasin 24 orë ose më shumë, shkruan Reuters.

Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi prodhuesit të makinave të mos mbyllte fabrikat, megjithëse ai pranoi se u takonte pronarëve të kompanisë dhe përfaqësuesve të punëtorëve të diskutonin këtë çështje.

Mbyllja e fabrikave “nuk do të ishte mënyra e duhur” sepse vendimet e këqija të Volkswagen kontribuan në situatën e vështirë, tha Scholz për grupin mediatik Funke.

Kancelari u shpreh se, megjithëse pronarët janë ata që marrin vendime konkrete, “është gjithmonë e drejtë t’i kujtojmë kompanive përgjegjësinë e tyre”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb