Gazetari Robert Papa, në një intervistë me moderatoren Ina Qirjo në News 24, u pyet për vizitën e presidentit të zgjedhur Donald Trump në Europë. Ai tha se është pozitiv fakti që Trump takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Papa tha se Perëndimi nuk do ta neglizhojë lehtë çështjen e Kosovës.

“Donald Trump takoi liderët më të rëndësishëm të Europës. Më vjen shumë mirë që takoi Vjosa Osmanin, por ka takuar edhe kryeministrin e Serbisë dhe ky i fundit ka deklaruar se “Trump i ka thënë t’i bëjë të fala Vuçiç”. Por duhet të jemi mosbesues, pasi Trump nuk ka thënë këtë gjë. Trump ka thënë se ka takuar Macron, Melonin, Zelenskyn. Politika amerikane nuk ka pse të ndryshojë në raport me Kosovën. Edhe takimi i presidentes së Kosovës me Trump është pozitiv. Problemi është që a e di Trump se viktima është Kosova dhe shteti kriminel është Serbia. Kjo duhet theksuar. Perëndimi nuk do ta lëshojë lehtë çështjen e Kosovës. Unë mendoj që Trump e ka mendjen tek Ukraina dhe Kosova aktualisht nuk është në planet e para të z Trump”, tha Papa.

Më tej, Papa deklaroi se lufta në Ukrainë ka shumë mundësi të mbarojë. Sipas tij, Zelensky është i detyruar që të lëshojë, pasi SHBA përndryshe nuk do i japë para dhe pa ndihmën amerikane, Ukraina nuk reziston dot. Papa u shpreh se Trump do të mbajë premtimet elektorale.

“Lufta në Ukrainë ka shumë gjasa të mbarojë. Zelensky u ul në tryezë dhe tha se do të lëshojë. Ukraina u përball për tre vjet me Rusinë. Zgjidhja e luftës do jetë vetëm diplomatike.

Ajo që godet Ukrainën, është që Kievi mos të ketë të drejtë të hyjë në NATO. Pa ndihmën amerikane, Ukraina do ta kapitullonte. Trump ka thënë në fushatë se do ta zgjidhë luftën. Donald Trump do realizojë të gjitha premtimet elektorale. Zelensky do të lëshojë, pasi Trump nuk i jep ndihmë ekonomike. Lufta ka qenë e dëmshme për të dyja palët. Donald Trump do që të zgjidhë luftën në Ukrainë në 100 ditët e para të mandatit të tij. Ukraina mund të lëshojë nga zonat që janë të populluara nga rusët, por mund të fitojë nga investimet amerikane. Zelensky për herë të parë pranoi se numri i viktimave ukrainase në luftë është 60 mijë. Trump ka vënë rreth vetes njerëz profesionalë. Në Departamentin e Shtetit, Trump ka emëruar njerëz seriozë. Trump kërkon të tregojë forcë ndaj Senatit, të shohim a do e arrijë. Ne nuk jemi i vetmi vend që nuk kemi ambasador të SHBA. Një senator i vetëm bllokon emërime të shumta. Shqipëria e meriton të ketë ambasador amerikan”, u shpreh Papa.

I pyetur për rënien e Assadit në Siri, Papa tha se ky është lajm i mirë për botën demokratike, pasi një diktator mori fund. Ai shtoi se ka këmbana alarmi se qeverisjen në Damask mund ta marrin ekstremistët dhe terroristët.

“Trump tha nuk është problemi ynë. Është një lajm i mirë, që mori fund një diktator. Ai vrau shumë persona brenda vendit dhe largoi shumë qytetarë. Ka këmbana alarmi se qeverisjen mund ta marrin ekstremistët e terroristët. U pa se Rusia ishte e dobët, sepse Assad mbahej vetëm nga Moska. Ndoshta Putin bëri lëshim, për të marrë më shumë në Ukrainë. Nuk ishte ndonjë revolucion”, deklaroi Papa.

Në lidhje me nderimin e kreut të SPAK, Altin Dumani si “kampion të antikorrupsionit”, Papa theksoi se është çmim rutinë.

“Këto më duken kinezërira. Nuk ishte vetëm ai, ishin 10 vetë. Ishin disa vende, ishin vende afrikane. Dihet se SHBA e mbështet SPAK, por çmime të tilla nuk më duken serioze. Në rastin e Dumanit, dihet se e mbështesin”, përmbylli Papa.

 

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb