TIRANE

Hapen dyert e ekspozitës më të re, “Unidentified False Objects” (U.F.O), në galerinë më të madhe të artit bashkëkohor në Tiranë, “GOCAT”, nga Fondacioni Mane. Ekspozita, tejet e veçantë në llojin e saj, mban vulën e artistit Ardian Isufit dhe vjen qëllimisht në “GOCAT, për të qëndruar e hapur deri në shkurt të 2025-s.

Vendndodhja e galerisë në Piramidën e Tiranës, në një nga hapësirat më ikonike të kryeqytetit, i dhuron edhe më shumë peshë imazheve, objekteve dhe artefakteve të cilat vijnë prej së shkuarës për të folur për ideologjinë e sistemit komunist; për propagandën, manipulimet dhe shtrembërimet e kohës, sikurse për situata të ndryshme socio-absurde që shoqëruan periudhën e tranzicionit në Shqipëri, të gjitha me në qendër njeriun.

  • foto galeri

Në mbrëmjen e inagurimit, mes artdashësve, personave publikë dhe artistëve të shumtë, Ardian Isufi e prezantoi punën e tij si një gjurmë të tijën “për të sjellë dhe për të përfaqësuar për publikun një art radikal e politik që nxit forcën reflektuese mbi aspektet sociale dhe urbane, midis utopive dhe distopive.”

Drejtoresha e Galerisë “GOCAT”, Ena Bulku, e vlerësoi ekspozitën e artistit si një ekspozitë multidimensionale ku publiku do të ketë mundësi të ndërveprojë me secilën nga veprat. “Është një pikë kthese ku e shkuara bashkohet me të tashmen, duke lënë pyetje për të ardhmen”, nënvizoi ajo.

Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, ndau një detaj interesant në lidhje me “U.F.O”.

“Kjo është ekspozitë site-specific, ka lindur për galerinë “GOCAT”. Edhe ato vepra që kanë bërë një rrugëtim të mëparshëm, janë modifikuar, janë transformuar duke iu përshtatur kësaj galerie”, tha Koritari.

Ekspozita duket se premton një udhëtim që nis prej një bunkeri të gjetur dhe të marrë nga fshati Lin në Pogradec dhe që, ndryshe nga mijëra bunkerë të periudhës komuniste, është tjetërsuar në një mini kishë ortodokse. Më tej, artdashësit njihen me serbatorin e karburantit të avionëve, të tjetërsuar në depozita uji të pijshëm… Udhëtimi ka ndalesa të tjera tërheqëse si video, instalacione, etj., të cilat trajtojnë çështje akute që vënë në dyshim trashëgiminë historike, ndryshimet në peizazhin urban, hapësirat gjeo-kulturore dhe jo vetëm. Të gjithë mund ta ndërmarrin si aventurë, pa kurrfarë pagese.

Galeria “GOCAT” vjen si një hapësirë falas për të gjithë të interesuarit pas artit, por edhe për artistët të cilët duan të promovojnë punët e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb