Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi faktin që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken shpalli kreun e SPAK Altin Dumanin kampion të antikorrupsionit.
Lubonja tha se medalja për Dumanin i duket më tepër një lobim amerikan. Ai tha se është dyshues ndaj SPAK, pasi shumë hetime nuk i çon deri në fund.
“Unë jam dyshues ndaj SPAK, ku një pjesë janë kategorik, duke menduar se Dumani është i përdorur. Unë kam qenë dyshues ndaj punës së Strukturës së Posaçme. Kam marrë në konsideratë faktin se në SPAK ka njerëz me mendime të ndryshme. Kam dyshime se një pjesë e prokurorëve janë të kapur. Dumani ka një lloj pavarësie, kjo e mbështet idenë se Rama nuk e donte Dumanin. Për mua, Rama e kontrollon SPAK me presion politik. Unë mendoj se janë një pakicë prokurorësh, që thonë ‘prit se mund të bëjmë diçka’. Medalja për Dumanin është një lobim nga amerikanët. Fakti që e jep medaljen Blinken, më çon te lobi i Sorosit. Korrupsioni po vazhdon më i madh akoma në kohën e SPAK, bëhen kulla me para krimi e SPAK nuk po bën gjë. Testi më i madh i SPAK është Veliaj. Te dosja e SPAK për Elbasanin, krimi ka kërkuar që të kontrollojë territorin. Aty ka dalë shprehja që “Taulanti na do për vota”. Nëse nuk e mbyllin rrethin e krimit, vihet në dyshim drejtësia e re. SPAK i bie që mbron politikanët dhe siç thotë Rama, krimi bën namin, por mendoj se politika e krimi janë bashkë. SPAK dhe amerikanët vetë nuk mund të na bëjnë për budallenj. Komisioni Xhafaj duket si mënyrë për të eliminuar institucionin e SPAK. Koha do tregojë më mirë punën e SPAK”, tha Lubonja.
Në 34-vjetorin e PD-së, Lubonja u pyet se çfarë mendon për Partinë Demokratike. Ai deklaroi se PD sot është më e dobët se ç’ka qenë, jo aq për faj të Berishës, sesa për shkak të luftës shkatërruese të maxhorancës ndaj saj.
“Partia Demokratike sot është më e dobët se ç’ka qenë. Jo vetëm për Berishën. Ky është një argument, por kryesori është për shkak të luftës shkatërruese që i ka bërë maxhoranca për ta delegjitimuar. Në këtë kuptim ka rezistuar. Edhe maxhoranca është e dobët, duke i dalë skandale. PD nuk po arrin të krijojë një bashkim të madh opozitar me një lider që premton, përtej Sali Berishës, mbi bazën e një debati dhe dialogu. Këtë rol PD nuk po e luan siç duhet, sepse kanë mbështetur gjithçka tek Berisha. Ajo që nuk më pëlqen tek PD është se përçohet një optimizëm i rremë, i konsideron njerëzit si një turmë pa tru. Optimizmin që është manipulativ dhe jo realist unë nuk e quaj diçka të mirë”, u shpreh Lubonja.
(Balkanweb)