Kryeministri Edi Rama u shpreh pasditen e sotme se Komisioni për thellimin e reformave, sundimin e ligjit dhe antiokorrupsionin, që drejtohet nga Fatmir Xhafaj, nuk ka asnjë synim as të prekë SPAK dhe as reformën në drejtësi.
Në prani të diplomatëve, në takimin e nivelit të lartë, Rama tha se 6 muaj u humb kohë pasi u gjet fjala ‘magjike’ se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama duan të bllokojnë SPAK dhe të përmbysin reformën në drejtësi.
“U tha se po bënim mbledhje sekrete, po thurrnim komplote. Dhe natyrisht kur përmend SPAK ka shumë sensibilitet dhe ka shumë forca që dalin në mbrojtje.
Dua t’ua kujtoj të gjithëve, duke filluar nga aleatët tanë strategjikë dhe të gjithë atyre qe janë përfshirë në këtë proces, mos kini asnjë merak konsiderojini si hudhra që do pengojnë syrin e keq për t’ju marrë më sysh, të gjitha akuzat që ju bëhen.
PS, forca që qeveris vendin prej 2013, është forca udhëheqëse për reformën në drejtësi, dhe pa këtë forcë, vullnetin e saj të hekurt, jo Amerika, jo Europa, po të gjithë të bëheshin bashkë, nuk do e bënin dot reformën në drejtësi. Sikundër, pa mbështetjen e aleatëve strategjikë, kjo reformë do të kishte një rrugë krejt tjetër dhe do të ishte e pamundur.
Nuk kemi kohë as për të humbur dhe as për të pritur ata që kanë një agjendë tjetër dhe që nuk u intereson integrimi në BE, qoftë edhe me arsyen se duan ta bëjnë vetë”, tha Rama.
Ai tha se çdo prekje në reformën në drejtësi në funksion të detyrave të anëtarësimit në BE duhet të kalojë përmes BE dhe SHBA. “Forca që garanton reformën në drejtësi është Partia Socialiste, nuk duhej të ishte kështu, por kjo është e vërteta. Duhej të ishin të gjitha forcat, por kemi pamundësinë sot për të pasur një mendje për reformën në drejtësi, pasi ka qasje krejt të kundërta. Kemi një fat shumë të madh, që është fati i Shqipërisë dhe ky fat quhet Bashkimi Europian, ku liritë individuale, rendi ligjor dhe institucionet demokratike janë të garantuara”, tha Rama.
(BalkanWeb)