Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE, Rruga e Reformave” ku theksoi nevojën e një angazhimi të gjithanshëm për përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit evropian brenda dekadës aktuale.
Në fjalën e saj, ministrja nënvizoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në përpjekjet për qeverisje të mirë, luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ajo theksoi se integrimi evropian kërkon jo vetëm qasje qeveritare, por edhe mobilizim të të gjithë shoqërisë.
Fjalimi i Minisrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni në takimin “Shqipëria 2030 në BE-Rruga e Reformave”
Ky takim i sotëm në fundvit, besoj se është ndër të tjera një shprehje e kuptimit se Shqipëria e sotme nuk ka kohë për të humbur por nuk ka kohë as për t’u ndalur drejt ngritjes së një standardi më të lartë në drejtim të qeverisjes së mirë, të luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Dhe përmes gjithë variablave gjeopolitikë, ideologjikë, teknikë të brendshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë që kushtëzojnë Shqipërinë në BE, një aksiomë mbetet e pandryshueshme: Integrimi ynë në familjen e madhe të Evropës së Bashkuar brenda kësaj dekade kërkon jo vetëm një qasje qeveritare, por një qasje dhe mobilizim mbarëkombëtar.
Natyrisht, entuziazmi për këtë proces historik nuk na ka mjegulluar aspak vetëdijen tonë për sfidat, këto sfida që i kemi bashkërisht dhe nevojën për të diskutuar me shumë kthjelltësi mbi përgjegjësitë që kemi përpara për ta përshpejtuar këtë rrugëtim unik të Shqipërisë.
Por më shumë se sfida, mendoj që këto janë mundësi për të ngritur ura partneriteti dhe bashkëpunimi, për të nxitur më tej pakthyeshmërinë e reformave të realizuara, të cilat në fakt origjinojnë, përcaktohen dhe kanë destinacion final standardet evropiane. Nga optika e kolegëve me të cilët kam fatin të punoj për të çuar përpara reformën në administratën publike dhe agjendën antikorrupsion por dhe nga këndvështrimi im si Ministrit të Shtetit përgjegjës për mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, angazhimi me ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm në forumet publike e ka kthyer Kuvendin në një vatër dialogu të hapur dhe tejet profesional me të gjithë ne, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë.
Përtej shkëmbimeve tona mbi shumëçka Shqipëria ka realizuar deri tani duke u kthyer në një lider rajonal në fushën e reformës së administratës publike të forcuar tashmë në drejtim të organizimit të politikave, të forcimit të sistemit të menaxhimit financiar, por dhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve digjitale me efektivitet, kemi folur shumë dhe për sfidat. Për ato që kanë të bëjnë mbi rritjen e besimit në institucionet tona si e thjeshtimit të komunikimit me grupet e interesit, dhe promovimit më tej të transparencës proaktive dhe llogaridhënies, sikurse kemi folur me shumë kujdes dhe vëmendje për intensifikimin e fokusit në luftën kundër korrupsionit me masa sistemike në ato fusha të cilat mbeten ende vulnerabël ndaj këtij fenomeni.
Të gjitha këto çështje kanë qenë objekt diskutimi dhe mbeten në qendër të dy strategjive kyçe, të cilat diktohen nga procesi i negociatave sikur është Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit dhe ajo për për Reformën në Administratën Publike.
Megjithatë, përpos rrugëtimit të deritanishëm tejet përmbajtësor dhe rizgjimit të debatit dhe diskutimit, më lejoni t’i shtoj një ton urgjence konstruktive të gjithë zotimeve tona në kuadër të negociatave në fushën e mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit. Momentumi i krijuar kërkon dosmodoshmërisht intensitet të lartë dhe përfshirje nga të gjithë ne.
Ndaj, përpos angazhimit institucional për të vijuar me ritmin e reformave në këto dy fusha, jemi të gatshëm të diskutojmë gjërësisht, dhe mirëpresim vijimin e punën e ekspertëve të komisionit për të diskutuar e dakortësuar një sekuencë të qartë, të detajuar të detyrimeve që kemi marrë përsipër dhe që secili nga ne i njeh, brenda afateve që kemi marrë përsipër t’i respektojmë. Rolin e ekspertëve e shohim me shumë vlerë jo vetëm si bashkëpunëtorë, por dhe si monitorues me një lente të kritike për përputhshmërinë me kërkesat, standardet dhe afatet e parashikuara.
Duke qenë se jemi këtu në ujërat e partneritetit, dëshiroj t’a përmbyll fjalën time me një mirënjohje shumë të sinqertë për Delegacionin e Bashkimit Evropian, Ambasadorin Gonzato, për të gjithë ekipin e Komisionit Evropian që nuk duket shumë shpesh këtu, por që na shtyn çdo ditë këtu për tu vetpërmirësuar dhe që na mbështet në një rrugëtim të rigjallëruar dhe të rienergjizuar të Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.
Ndaj, në emër të të gjithë kolegëve të administratës publike shqiptare, mirëpres gjithashtu të gjitha diskutimet që do të vijojnë të zhvillohen në kuadër të Komisionit, si dhe mbetemi të angazhuar me gjithë ekipin për të rritur suksesin drejt këtyre përpjekjeve për Shqipërinë 2030 anëtare në BE. Një dëshirë jo vetëm e jona, që besoj se do ta meritojmë.
(BalkanWeb)