Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade.
Duke vlerësuar rolin e Kuvendit në këtë proces, Rama tha se është i vetmi institucion që i bën bashkë të gjithë aktorët politikë në vend, duke dhënë kështu edhe arsyet e ngritjes së Komisionit që drejtohet nga deputeti Fatmir Xhafaj.
Rama theksoi se ne folëm të parët për ngritjen e Komisionit ‘Xhafaj’, pasi ky është një proces që Shqipëria në BE në 2030, nuk mund të arrihet, nëse nuk e dinë këtë proces aktorë dhe faktorë të tjerë, përtej atyre të Qeverisë.
Kryeministri theksoi se në këtë komision mirëpresim që të gjitha forcat që janë gati të na bashkohen, por nuk do të presim askënd nga ata që duan të na vendosin kushte. “Në rastin më të keq ne do të presim vetëm partnerët tanë kur nuk janë të bindur për një gjë, por forcë tjetër ne nuk do të presim. Ata që duan le të vijnë, vendet i kanë në këtë komision. Ne nuk mund të humbasim kohë, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, të thellojmë të gjitha reformat, të bëjmë të pakthyeshme, ndarjen mes pushteteve dhe të bëjmë të pakthyeshme luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Rama.
Ai u shpreh se gjithashtu do të garantojnë pavarësinë dhe ta bëjmë të pakthyeshme pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe të garantojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kryeministri theksoi se për procesin e integrimit, pas hapjes së kapitullit të negociatave për Themeloret, janë 157 institucione që duhet të performojnë në mënyrë intensive, 32 prej të cilave nuk kanë asnjë varësi nga Qeveria.
Ai tha se BE e rendit Shqipërinë si të parën përsa i takon prokurorimeve publike dhe Kryeministri theksoi se Bashkimi Europian nuk është gazetë gjermane, por i referohet të dhënave konkrete, që studiohen nga ekspertët.
“Prokurorimet Publike janë pjesë e kapitullit të Themeloreve. BE e konsideron sistemin e Prokurorimeve Publike si europian, pavarësisht se i duket e çuditshme atyre që e nisin ditën me korrupsionin, e barazojnë Shqipërinë me fjalën korrupsion, që një në 3 fjalë kanë korrupsion. Unë nuk e di se si mund të bashkohen bashkë këto të dyja. Kemi indeksin e Bazelit përsa i takon parave të zeza, që nuk janë as emisione italiane as gazeta gjermane, ku thuhet se kemi bërë një progres në luftën kundër parave të zeza, madje kemi bërë progres duke lënë pas 7-8 vende që janë anëtarë të BE-së”, tha Rama. Ai u shpreh se kjo ndodh sepse ata bazohen te faktet jo te perceptimet.
Lidhur me integrimin, Rama tha se fakti se Shqipëria duhet ti përfundojë të gjitha detyrat brenda 2027, na e bën të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat, dyshimet, e aq më tepër me akuzat e përpjekjet për të penguar procesin.
Kryeministri deklaroi se një vend nuk mund të reformohet, përfshi edhe reformën në drejtësi, nëse forcat e brendshme nuk e duan. “Pse nuk e sollën reformën në drejtësi me aeroplanmbajtëse amerikanët? Pse nuk e solli me anije apo me avion Brukseli, reformën në drejtësi? Amerikanët kanë kërkuar që nga 1991 që në këtë vend të ketë drejtësi, që të luftohet korrupsioni. Por kjo u arrit falë vullnetit të hekurt të Partisë Socialiste”, tha Rama.