Një shtetas ende i paidentifikuar nga policia ka goditur një transformator të energjisë elektrike me një mjet që sipas policisë dyshohet të jetë kamion, duke lënë mbi 200 familje pa energji elektrike. Ngjarja është regjistruar në një nga lagjet e fshatit Bucimas të bashkisë Pogradec.
Grupet e punës së OSHEE-së kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje së bashku me Policinë e Shtetit, ku këta të fundit janë angazhuar për të gjetur autorin e kësaj ngjarjeje. Dëmi në transformator është i madh, ndërsa do të kërkojë disa orë pune deri në rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Vetë autori i ngjarjes është larguar, pasi ka goditur vendin ku qëndronte transformatori në një lagje tepër të banuar. Sipas informacionit në rrugë zyrtare nga OSHEE, po shihet mundësia për vendosjen e një transformatori të ri, pasi ekzistenti është dëmtuar rëndë nga goditja dhe rrëzimi.
Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga elektriciteti në momentin e goditjes, edhe pse ky transformator ndodhet pranë banesave.