Në emisionin Open në News 24 u diskutua për partitë e reja politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025. Gazetari Mentor Kikia tha se partitë e reja nuk e rrëzojnë dot qeverinë.
Ndërsa, kryetari i partisë Mundësia Agron Shehaj deklaroi se “nuk mund të nisemi nga ideja, që meqenëse parti të reja më herët nuk kanë pasur sukses, kështu do ndodhka sërish”. Ai tha se do ia dalë në këtë rrugëtim, duke shtuar se ka bindjen se vetëm një parti e re politike mund ta shpëtojë Shqipërinë.
Mentor Kikia: Nuk besoj se partitë e reja do rrëzojnë qeverinë. Shqiptarët e kanë të vështirë të besojnë partitë e reja, sepse partitë e reja janë parë me dyshim se nga pas mund të kenë një padron ose kanë qenë njëpërdorimshme.
Agron Shehaj: Ne s’mund të nisemi nga ideja dhe bindja që në këto 34 vite partitë e reja nuk ia kanë dalë dhe duke qenë se nuk ia kanë dalë është e kotë t’i futemi se s’ka për të ndodhur kurrë. Unë jam i bindur që do vijë një ditë që dikush do t’ia dalë në Shqipëri. Ndoshta s’do të jem unë edhe pse do të bëj maksimumin për t’ia dalë dhe jam i bindur që do t’ia dal, por do të vijë një ditë që një parti e re do t’ia dalë. Një nga arsyet është se jo vetëm partitë e vjetra kanë kapur skenën politike, por kanë krijuar edhe bindjen e qytetarëve duke futur parti njëpërdorimshme për të thënë se partitë e reja nuk kanë për t’ia dalë. Nuk duhet të shohim vetëm çfarë ndodh në Shqipëri, por edhe çfarë po ndodh jashtë. Nuk duhet të dorëzohemi. Unë mendoj se një parti e re është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë, nuk ka tjetër, bëhet vetëm nëpërmjet një partie të re. E vetmja që mund të fitojë besimin e qytetarëve. Politika është çështje besimi. Është shumë e vështirë të mundësh Edi Ramën me një parti të ngjashme, me një grup deputetësh të ngjashëm për të cilët opinioni publik dhe votuesit nuk mendojnë se këta të rinjtë janë si nata me ditën me ata të tjerët dhe jo se janë pak më mirë…
(BakanWeb)