Përshkallëzimi i armiqësive tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mund ta vërë në rrezik furnizimin e Ukrainës me pjesë të dronëve, të cilët janë vendimtarë për luftën e saj kundër Rusisë.

Mediat amerikane raportojnë se prodhuesit kinezë janë duke i kufizuar shitjet e pjesëve jetike të dronëve nëpër kompani në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilat e furnizojnë Ukrainën me ato pjesë.

Këto kufizime nga Kina mund ta pengojnë Ukrainën në fushëbetejë, ku dronët kanë luajtur rol vendimtar. Arsenali i Kievit i dronëve të lirë, por efektivë, përdoret për gjurmim, hedhje të bombave ndaj objektivave dhe për t’u mbrojtur ndaj sulmeve ruse.

Lëvizja e Pekinit shihet si përgjigje ndaj vendimit të Uashingtonit, i cili në dhjetor e kufizoi shitjen e çipave me hapësirë të madhe për ruajtjen e materialeve dhe pajisjeve të tjera për gjysmëpërçues për në Kinë. Pekini tashmë ka ndaluar shitjen e artikujve me përdorim të dyfishtë për ushtrinë amerikane dhe disa materiale me aplikime teknologjike dhe ushtarake për kompanitë amerikane.

Por, kufizimi i furnizimeve me pjesë dronësh që janë pjesë kyçe e përpjekjeve të Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë përbën element të ri të tensioneve tregtare në rritje.

Lëvizja e Kinës, sipas ekspertëve, është gjithashtu mesazh për administratën e ardhshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për aftësinë e Kinës për t’i kundërshtuar sanksionet e vendosura nga Uashingtoni.
“Kjo është pjesërisht përgjigje ndaj tarifave të SHBA-së dhe një formë ndëshkimi për masat e kontrollit të eksporteve amerikane”, tha Joseph Webster nga Këshilli Atlantik. “Por, kufizimi i kësaj teknologjie dronësh do të ketë pasoja në fushën e betejës për Ukrainën dhe mund të jetë i rëndësishëm para negociatave të mundshme për armëpushim”, shtoi ai.

Dronët e përballueshëm dhe në dispozicion janë bërë një pjesë e rëndësishme e luftës pothuajse trivjeçare në Ukrainë për të dyja palët, Kievin dhe Moskën.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë sa i përket dronëve ushtarakë më të mëdhenj. Por, Kina mbizotëron tregun për dronë më të lirë dhe më të vegjël dhe për pjesët e tyre, të cilat janë dypërdorimëshe, për civilë dhe ushtri.

Disa anketa të pavarura vlerësojnë se Kina kontrollon 90 për qind të tregut të dronëve në Shtetet e Bashkuara dhe 80 për qind në nivel global.

Duke pasur parasysh këtë pozicion, ekspertët kanë paralajmëruar për një varësi në rritje nga kontrolli i Kinës mbi zinxhirët globalë të furnizimit për dronët. Uashingtoni ka shprehur nevojën për të krijuar zinxhirë të rinj furnizimi, pasi mosmarrëveshjet tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit pritet të përshkallëzohen nën administratën e dytë të Trumpit.

“Këto masa të reja të kontrollit vetëm sa theksojnë rëndësinë e forcimit të përpjekjeve tona me vende të tjera për të ulur rrezikun dhe diversifikuar zinxhirët kritikë të furnizimit larg [Kinës]”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL-in.

Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.

Lufta tregtare takon luftën për dronë
Që nga viti 2019, Kina ka krijuar atë që ajo e quan “listë të entiteteve të pasigurta” për t’i ndëshkuar kompanitë që i dëmtojnë interesat kombëtare të Kinës dhe ka prezantuar rregulla për t’i ndëshkuar firmat që i zbatojnë masat e SHBA-së ndaj entiteteve kineze.

Shtrirja e gjerë e këtyre ligjeve ia mundëson Pekinit ta bllokojë potencialisht qasjen globale në komponentë të rëndësishëm, përfshirë materiale si mineralet e rralla dhe litiumi që formojnë komponentë thelbësorë në gjithçka, nga telefonat e mençur deri te automjetet elektrike.

Sa i përket kufizimeve të fundit për dërgesat e pjesëve të dronëve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, prodhuesit kinezë të motorëve, baterive dhe kontrollorëve të fluturimit kanë ulur sasinë që ata dërgojnë ose, në disa raste, kanë ndaluar plotësisht dërgesat.
Një shembull i dukshëm ndodhi në tetor kur prodhuesi amerikan i dronëve Skydio, i cili furnizon ushtrinë e Ukrainës, u godit nga sanksionet kineze si përgjigje ndaj fitimit të një kontrate nga Qeveria tajvaneze.

Skydio është lavdëruar si alternativë amerikane ndaj prodhuesve kinezë dhe varësisë nga zinxhirët e furnizimit kinez.

Ndërkohë që firma amerikane kishte kaluar vite duke ndërtuar një zinxhir furnizimi jashtë Kinës për produktet e saj, ajo ende varej nga ky vend për një komponent thelbësor: bateritë.

Vendimi i Kinës për ta kufizuar furnizimin me bateri për Skydi, e detyroi kompaninë të kërkojë burime alternative dhe e ktheu mbrapsht shpërndarjen e dërgesave për klientët e saj, përfshirë Ushtrinë Amerikane, e cila nga ana e saj e furnizon Kievin.

Në kërkim të zinxhirëve të rinj furnizues
Për Kievin, zbutja e varësisë ndaj zinxhirit të furnizimit kinez për të siguruar dronë për fushën e betejës ka rezultuar i vështirë, sepse shumë prodhues dronësh nga Ukraina ende mbështeten në pjesë kineze për të prodhuar armët e lira dhe efikase.

Kina në korrik e ndaloi eksportimin e dronëve për përdorim ushtarak, dhe Pekini ka pretenduar se nuk ofron armë për Rusinë ose Ukrainën.

Por, fluksi i vazhdueshëm i pajisjeve për përdorim të dyfishtë nga Kina në Rusi e ka ndihmuar Kremlinin ta kryejë pushtimin e plotë të Ukrainës.

Tani, kufizimet e reja nga Qeveria kineze e kanë bërë më të vështirë për Ukrainën të sigurojë dronë dhe pjesët e tyre.

Në rastin e Skydios, Pekini vendosi sanksione para se kompania të siguronte furnizues alternativë, por raportohet se kjo firmë është në bisedime me disa kompani në Azi, përfshirë ato në Japoni dhe Tajvan.

Tajvani, për të cilin Kina pretendon se është territor i saj, po përpiqet ta forcojë zinxhirin e vet të furnizimit me dronë, duke pasur parasysh rëndësinë në rritje të tyre në luftën moderne dhe frikën për një konflikt të mundshëm me Pekinin.

Tajvani, një ishull vetëqeverisës, i ka intensifikuar përpjekjet dhe ka krijuar lidhje me vendet evropiane në fushën e teknologjive të dronëve. Ministri i Jashtëm i Tajvanit udhëhoqi një delegacion për të diskutuar këtë temë në Letoni, Lituani dhe Poloni në nëntor dhe nënshkroi memorandume mirëkuptimi për të avancuar zhvillimin e dronëve me këto tri vende.

“Këto kufizime tregtare kineze mund të çojnë në krijimin e zinxhirëve të rinj të furnizimit me dronë”, tha Webster. “Por prisni që Kina të dëshirojë gjithashtu ta kufizojë zhvillimin e tyre”./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb