Një Milan pa yje, pa shkëlqim, por përballë Crvena Zvezdas dalin me 3 pikë duke mbajtur të gjallë objektivin për t’u kualifikuar direkt për më tej në Champions League. Në “San Siro”, ekipi i Fonseca-s vuajti shumë përballë Zvezda-s, me serbët që goditën edhe traversën në fillim.
Për të zgjidhur hallet e “djallit” mendoi Rafa Leao, me sulmuesin portugez që u shkëput shpejt në fundin e pjesës së parë dhe me një kontroll perfekt të topit arriti ta dërgoj më pas në rrjetë duke sjell festë në shkallet e stadiumit. Ylli i Kuq i Beogradit nuk u demoralizua, përkundrazi, Radonjic në minutën e 67-të dhe me një të majtë të bukur barazoi shifrat në 1-1.
Milan hasi shumë vështirë për të gjetur hapësira në zonën e Zvezdas, por atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 87-të, Abraham përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke realizuar golin e dytë dhe të fitores për Milan, një sukses që i vendos në vendin e 12-të në kuotën e 12 pikëve.
Pavarësisht fitores, Fonseca u shfaq i tërbuar përpara mediave: “Fituam, por nuk jam aspak i kënaqur. Nuk luajtëm mirë. Më duhet të flas me skuadrën. Nuk është çështje teknike apo taktike. Jemi si një terren rrotullues, një ditë mirë një ditë keq, kjo është diçka e paimagjinueshme, kjo nuk mund të ndodhë”, u shpreh Fonseca.
(BalkanWeb)