Ka nisur interpelanca e thirrur nga deputetja Ina Zhupa me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës Fan Noli.

Manastirliu iu drejtua deputetes demokrate se mënyra se si po e trajtojnë këtë çështje, tregon se nuk ka ndjeshmëri për një ngjarje kaq tragjike, ndërsa e “akuzoi” se gjithçka po e përdor për “karrige”.

“Dua të përsëris qëndrimin që kam mbajtur që para pak minuta pas ngjarjes tragjike. Pretendimi që nuk kam reaguar është gënjeshtër e juaja. Fola nga foltorja dhe me qëndrim zyrtar.
Nuk do të isha marrë fare por meqë po flasim për edukimin, është e nevojshme të të vijë përpara retorikës që ke përdorur në këtë sallë. Je në hall për një karrige.
Do ta vlerësoja nëse shqetësimi juaj do të ishte i sinqertë. Kanosja me fjalë është shembulli më i keq që mund të japim.
Të shfrytëzosh dhimbjen e të tjerëve do të thotë të esh ndjeshmërinë në nivele të papërfillshme”,
tha ajo.

Nga ana tjetër, shtoi ministrja, MAS ka ngritur grupin e punës për monitorimin e zbatimit të protokolleve të punës në çdo hallkë përgjegjëse.

“Ngjarjet tragjike që përfshijnë dhunën mes të miturve janë të dhimbshme dhe kërkojnë zgjidhje serioze dhe të koordinuara. Çdo formë dhune, sidomos ajo mes të miturve është një fenomen që shqetëson të gjithë shoqërinë dhe kërkon angazhimin e të gjitha palëve: familjes, shkollës, institucioneve dhe komunitetit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se “Ministria e Arsimit dhe Sportit është tërësisht e angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla; zgjerimin e platformave proaktive të sinjalizimit të hershëm, të çdo forme të dhunës, bullizmit përfshirë atë online dhe forcimin e shërbimeve sociale në strukturat arsimore dhe komunitet, masa, që do pasqyrohen në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e çdo forme të dhunës, bullizmit dhe rritjes së sigurisë në shkolla, puna për të cilin ka nisur”.

Duke folur për masat e deritanishme, Manastirliu tha se është rritur numri i oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla.

“Për të rritur sigurinë në shkolla për herë të parë nga 2018 shtuam nje rol te ri ne shkolla, oficerin e sigurisë. Nga 15 oficerë sigurie në fillimet e këtij shërbimi, sot kemi 240 oficerë dhe po e çojmë në 276 numrin e oficerëve të sigurise, që ushtrojnë detyrën e tyre jo vetëm në shkolla të mesme, por edhe në shkolla 9-vjeçare. Duke u bazuar në raportin e numrit të nxënësve në arsimin publik, raporti punonjës i shërbimit psiko-social për nxënës është mesatarisht 1 me 341 nxënës, ndërkohë që ky raport ka qenë 1 me 3500, dhe sigurisht që planifikojmë të përmirësojmë edhe më shumë këtë standard por edhe paralelisht të rrisim eficiencën në punë të këtyre strukturave”, tha Manastirliu.

Për vitin shkollor 2023-2024 në nivel kombëtar, në sistemin arsimor parauniversitar, janë konstatuar dhe janë raportuar 2030 raste dhune, ku numri më i madh i rasteve ishte referuar pikërisht te punonjësit e shërbimit psiko-social, për të vijuar me raportimet e oficerëve të sigurisë, mësuesve, prindërve apo vetë nxënësit që janë bërë objekt dhune, ku per mbi 95% e rasteve jane adresuar tek familja, sherbimet sociale, policia e shtetit apo njesite e mbrojtjes se femijeve. Një nga hapat më të rëndësishëm tha Manastirliu, është hartimi i planit të ndërhyrjes në nivel klase, në nivel shkolle, përmes grupeve teknike ndërsektoriale në nivel lokal, kur flasim për raste të referuara te njësia e mbrojtjes së fëmijës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb