Nga Zvicra, të premten më 12 dhjetor, në orën 12:00, merr formë rrugëtimi i Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit. Sytë e miliona shqiptarëve kudo në botë do të jetë nga Zyrihu, aty ku kuqezinjtë do të njohin rivalët e tyre në kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri Sylvinho, lojtarët, tifozët, të gjithë “kryqëzojnë gishtat” që këtë herë shorti të jetë i mëshirshëm, ndryshe nga “Euro2024” ku fati i Shqipërisë u shkrua që në short. Këtë herë rrugëtimi është edhe më i vështirë pasi në Botëror kualifikohen automatikisht vetëm vendi i parë, ndërsa vendi i dytë në grup shkon në “play-off”.
Shqipëria bën pjesë në vazon e tretë së bashku me Skoci, Slloveni, Irlandë, Maqedonia e Veriut, Gjeorgji, Finlandë, Islandë, Irlanda e Veriut, Bosnje, Mali i Zi dhe Izraeli. Me asnjë nga këto ekipe nuk mund të shortohet.
Nga vazo e parë rivalët janë të frikshëm, ekipe e mëdha Evropiane dhe predentët kryesor për të triumfuar në Botëror, nëse do të ishim me fat mund të “peshkonim” përfaqësuese si Zvicra apo Austria, ekipet më pak të kuotuara nga kjo vazo.
Në vazon e dytë ndodhen ekipe që Shqipëria i njeh mirë, rivalë si Ukraina apo Çekia, por Liga e Kombeve vërtetoi se sërish janë më lart, jo më kot ndodhen në vazon e dytë. Interesi është i madh për këtë vazo pasi ka dhe përfaqësuese si Serbia apo Greqia.
Në vazon e katërt dhe të pestë janë ekipe të lehta në letër, por kujdes nga vazo e katërt mund të “peshkojmë” edhe Kosovën.
Nëse Shqipëria do të shortohet në një grup me katër ekipe atëherë ndeshjen kualifikuese do t’i nis në muajin mars, nëse do të shortohet në grup me 5 ekipe do t’i nisë kualifikueset në shtator.
(BalkanWeb)