Jose Mourinho nuk po kalon ditë të qeta në Stamboll tek skuadra e Fenerbahçe. 6 pikë diferencë me kryesuesit dhe kampionët në fuqi të Gallatasarayt si dhe ulje ngritjet edhe në paraqitjet evropiane, po lëkundin ndjeshëm pozitat e “The Special One” në krye të stolit të “kanarinave” të Stambollit.
Humbja e një dite më parë ndaj Athletic Bilbaos 0-2, në raundin e 6 të Europa Ligë, ka bërë që tashmë skuadra turke të mbesë në vendin e 15 të renditjes me vetëm 8 pikë. Kualifikimi të paktën për fazën play-off të këtij kompeticioni është domosdoshmëri, në të kundërt largimi i Mout nga stoli i Fenerbahçe mund të ndodhte edhe pa përfunduar ky sezon.
Për të shtuar zërat për një largim që në Janar të specialit nga Stambolli ka menduar edhe prestigjiozja “Marca”, e cila theksoi se Mou mund të largohet nga Bosfori për t’iu rikthyer një aventure sërish në Premier League. Pas aventurave me Chelsean, United e Tottenham, portugezi duket se shihet si njeriu shpëtimtar për Wolverhampton, e cila rrezikon shumë zbritjen nga kategoria këtë sezon. Mou mund të zëvendësojë teknikun aktual të skuadrës angleze Gary O’Neil.
Megjithatë kjo hipotezë për momentin ka pak gjasa të ndodh, aq më tepër që Jose Mourinho ka një kontratë që e mban të lidhur me klubin turk deri në qershor të 2026.