Donald Trump është shpallur sërish “Njeriu i Vitit” nga revista prestigjioze amerikane Time, çmim i cili i jepet për herë të dytë në më pak se një dekadë.
Trump mori titullin edhe në vitin 2016, pas fitores së tij të parë në zgjedhjet presidenciale, dhe tani i bashkohet grupit të njerëzve që janë zgjedhur dy herë. Grupi përfshin tre presidentët e fundit me dy mandate: Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. (Franklin D. Roosevelt është i vetmi që ka arritur të marrë titullin tre herë).
Trump ka pasur një marrëdhënie të ‘stuhishme’ me revistën Time. Pasi u emërua “Personi i Vitit” në 2016, ai e përshkroi revistën si një botim “shumë të rëndësishëm” dhe tha se i kishte dhënë një “nder të jashtëzakonshëm”. Por Trump, i cili kishte fituar një garë polarizuese presidenciale, në të cilën ai humbi votën popullore por fitoi Shtëpinë e Bardhë, u përplas me revistën, e cila e përshkroi atë si “president i shteteve të ndara të Amerikës”.
Viti 2024 është sërish viti i Donald Trump. Në 5 nëntor ai fitoi zgjedhjet presidenciale përballë Kamala Harris duke dominuar skenën politike amerikane dhe më gjerë atë botërore. Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë 4 vite pasi u largua prej aty kur humbi zgjedhjet me Joe Biden, proces mjaft i kontestuar prej tij.
Për “Njeriun e Vitit 2024”, Trump ishte në garë me Zëvendës Presidenten Kamala Harris; Princeshën e Uellsit, Katerina; kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu; presidenten meksikane, Claudia Sheinbaum; miliarderi Elon Musk dhe sensacionin e podcast-it Joe Rogan.
Donald Trump i tha prestigjiozes Time në një intervistë së bashku me emërimin e tij si “Njeriu i Vitit” se një nga veprimet e tij të para zyrtare si president do të ishte falja e shumicës së protestuesve të akuzuar ose të dënuar për sulmin në Kapitol për të bllokuar certifikimin e fitores së Biden.
(BalkanWeb)