TIRANE
Universiteti Luarasi organizoi në Tiranë konferencën e parë shkencore ndërkombëtare, mbi ekonominë, globalizmin dhe identitetin. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi, Profesor Sherif Bundo shprehet se kjo konferencë i kalon kufijtë e Shqipërisë, pasi në të marrin pjesë ekspertë dhe kërkues shkencorë nga universitete prestigjoze europiane.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përgëzoi Universitetin Luarasi për organizimin e kësaj konference, teksa paraqiti shifrat më të fundit të ecurisë së ekonomisë shqiptare.
“Gjej me vend të përgëzoj universitetin Luarasi për kontributin e vyer në edukimin e brezit të ri, duke u shndërruar brenda një horizonti të shkurtër kohor në një nga institucionet më prestigjioze të edukimit profesional në vend”, u shpreh Sejko.
Zëvendësministrja e Turizmit Ilva Gjuzi, bëri një pasqyrë të shifrave të rritjes së flukseve turistike të këtij viti, që e rendisin Shqipërinë të parën në rajon.
“Të dhënat e 2024 tregojnë se jemi vendi i parë në Europë për rritjen e flukseve turistike dhe vendi i dytë në botë. Pra kemi avancuar edhe në këtë aspekt”, tha Gjuzi.
Idetë janë ato që i çojnë përpara shoqëritë u shpreh profesor Fatos Tarifa, e ku më mirë se në Universitet, mund të diskutohet për ide të tilla.
“Jo vetëm idetë akademike, por idetë shoqërore janë ato që kanë çuar përpara zhvillimin shoqëror. Çdo zhvillim i rëndësishëm ekonomik, politik është ngritur mbi bazën e ideve të avancuara të kohës. Ne mund të prodhojmë shumë gjëra, dhe prodhojmë mjaft krim në shoqëri, por pak ide”, tha Tarifa.
Ndërsa zv/rektorja e Universitetit Luarasi, Anni Dasho, e cilësoi këtë konferencë si një laborator idesh, që mund të vihen në jetë, qoftë nga biznesi apo nga qeveria.
“Konferencat janë laboratorët e gjenerimit të këtyre ideve. Biznesmenët i kthejnë idetë e këtyre laboratorëve në misione biznesi, ndërsa politika dhe qeveritë në politika publike”, theksoi Dasho.
Profesor Et’hem Ruka, rektor i Luarasit, gjatë fjalës së tij e vuri theksin te roli që edhe universitetet duket të kenë në aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në BE.
“Rreth ekonomisë vërtiten dhe rrotullohen të gjithë sektorët e tjerë të jetës. Një ekonomi e fortë do të thotë mirëqenie, do të thotë siguri, do të thotë një arsim më i mirë, do të thotë një turizëm më i mirë. Agjenda e vitit 2030 kërkon impenjim në të gjithë sektorët dhe fushat e këtij vendi, duke përfshirë këtu edhe arsimin e lartë”, deklaroi rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka.
Konferenca të tilla, janë një kontribut i çmuar për ekonominë shqiptare, pasi japin mendime dhe ide që i shërbejnë jo vetëm rritjes së cilësisë akademike, por përfundimet e diskutimeve mund të vihen në zbatim nga institucionet, në funksion të qëllimit të përbashkët për rritjen e ekonomisë shqiptare.
(BalkanWeb)