Në emisionin Open në News 24 kishte një diskutim në lidhje me sigurinë në vend. Analisti Dritan Hila deklaroi se Shqipëria sot është një vend i sigurt.
Ndërsa, deputetja e PD Dhurata Çupi u shpreh se pas vitit 1997, bandat sot janë më aktive se kurrë. Ish-zv ministrja e Turizmit Ornela Çuçi tha Shqipëria është një vend relativisht i sigurt, por se kërkohet më tepër punë që siguria të shtohet.
Analisti Fatos Lubonja deklaroi se oligarkët, krimi, që dikur ishin edhe me PS, PD e LSI, sot janë bërë me një parti, Partinë Socialiste që është në pushtet.
Dritan Hila: Shqipëria është ndër vendet më të sigurta në botë. Rendi në rrugë ka përmirësime. Ka sofistikim të krimit, sa i përket transportimit të drogës, duke qenë se Shqipëria ndodhet në udhëkryq mes Lindjes së Mesme dhe Europës. Dëgjojmë banda që dënohen dhe janë dënuar nga kjo polici e ky SPAK.
Dhurata Çupi: Bandat kanë sjellë në pushtet PS-në.
Dritan Hila: PD ka përdorur bandat sa i ka luajtur fenë. Madje, keni hapur depot e armëve. Janë kapur sasi të mëdha droge.
Dhurata Çupi: Rama ka thënë që bandat hëngshin kokat e njëri-tjetrit.
Dritan Hila: Rama nuk është me bandat, është kryetar i PS. Nuk e pranoni se është kryetari i partisë më të madhe.
Dhurata Çupi: Nuk kemi zbardhur dosjen e Dibrës. Deputetët e PS kanë dalë në Sky Ecc. Pas 1997, sot krimi është më aktiv se asnjëherë.
Dritan Hila: Përgjimet e Enchro nuk janë të certifikuara, janë indicie për hetim. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD foli për Enchro Chat dhe nuk u paraqit në gjyq.
Ornela Çuçi: Jemi një vend i sigurt. Ne vidhemi masivisht pa dhunë, që u ndodh të gjithëve, që dalin nëpër dosje. Bandat nuk kanë ngjyrë, blu apo e kuqe, por kanë interesa. Bandat kanë interesa thjesht dhe interesat janë me partinë në pushtet.
Fatos Lubonja: Krimi ka pasur lidhje me politikën tonë vazhdimisht. Berisha thoshte se unë me demokratët e Laçit e rrëzoj PS-në. Pas 1997, ekonomia është ndërtuar me trekëndëshin pushtet politik-media etj. Krimi është infiltruar në të dyja partitë, PD dhe PS. Me ardhjen e Ramës, oligarkët, banditët, nga të lidhur me disa parti, sipas një projekti të ndërtuar me kujdes nga ai dhe mbështetur nga ndërkombëtarët, mori oligarkët dhe i ka me vete. I mori këto dhe e dobësoi PD-në. Gjithë oligarkinë e mori një parti. Thirri gjithë krimin, ca u bënë dhe kryetar bashkie, me Rroshin etj. Këta janë bërë tani një super bandë, që nuk sfidohet. Është një bandë e madhe dhe ca në shkatërrim.
(BalkanWeb)