Disa paciente në fazat e para të kancerit të gjirit mund të shmangin në mënyrë të sigurt operacione të caktuara, sipas dy studimeve që eksplorojnë mënyrat për të lehtësuar barrën e trajtimit.

Një studim i ri, i botuar në gazetën e përjavshme mjekësore ‘New England Journal of Medicine’, shqyrton nëse heqja e nyjeve limfatike është në çdo rast e nevojshme në fazat e hershme të kancerit të gjirit.

Një studim tjetër i publikuar në ‘Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane’ sugjeron një qasje të re ndaj një lloji të kancerit të gjirit të quajtur “ductal carcinoma in situ”, ose DCIS.

Hulumtimi u diskutua të enjten në Simpoziumin e Kancerit të Gjirit në San Antonio.

DCIS dhe mbikqyrja e vazhdueshme

Çdo vit, rreth 50 mijë gra në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen me karcinoma duktale in situ, ose DCIS, ku qelizat që formojnë kanalet e qumështit bëhen kancerogjene, por indi i gjirit aty pranë mbetet i shëndetshëm.

Shumë gra zgjedhin të kryejnë operacion, megjithëse është e paqartë nëse në vend të ndëryrjes kirurgjikale mund të ndjekin një qasje “të presim dhe të shohim”, paralelisht me një mbikqyrje më të shpeshtë.

Studimi i ri, i bazuar në të dhëna dyvjeçare, sugjeron se një monitorim i tillë aktiv është një alternativë e sigurt ndaj operacionit për shumë prej këtyre grave, megjithëse disa mjekë kërkojnë të shohin nëse rezultati do të vazhdojë të jetë i efektshëm me kalimin e kohës.

“Ky është një opsion që pacientet duhet ta marrin në konsideratë për trajtimin e kancerit DCIS”, tha doktoreshë Virginia Kaklamani nga Qendra e Shkencave Shëndetësore e Universitetit të Teksasit ‘San Antonio’, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim. “Për një kohë të gjatë, ne kemi pasur ndjenjën se po i mbitrajtonim pacientet me DCIS. Ky është një konfirmim i asaj që dyshonim se po ndodhte”.

Duke mbajtur një pikëpamje më të kujdesshme, doktoreshë Monica Morrow nga Qendra e Trajtimit të Kancerit ‘Memorial Sloan Kettering’, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim, tha se një studim dyvjeçar nuk është i mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime.

Gjetja bazohet në ndjekjen e më shumë se 950 pacienteve amerikane, të cilave u ishte rekomanduar operacion ose monitorim aktiv. Të gjitha kishin kancer DCIS me rrezik të ulët, pa asnjë shenja të kancerit invaziv. Ato vuanin nga lloji i DCIS që reagon ndaj ilaçeve që bllokojnë hormonet dhe shumë paciente të përfshira në studim i morën këto barna si pjesë të trajtimit të tyre.

Pas dy vitesh, shkalla e kancerit invaziv, (që ishte përhapur në kanale të tjera të gjirit), ishte e ulët dhe nuk ndryshonte ndjeshëm midis grupeve, me rreth 6 për qind në grupin pacienteve të trajtuara me operacion dhe rreth 4 përqind në grupin e pacienteve nën mbikqyrje.

Në radhët e pacienteve në grupin e monitorimit, nëse viheshin re ndryshime gjatë mamografisë, atëherë do t’u kërkohej të bënin një biopsi. Ato gjithashtu mund të zgjedhin operacionin në çdo kohë për çfarëdo arsye.

Disa pjesëmarrëse në studim nuk iu përmbajtën trajtimit që iu caktua rastësisht.

Pra, në një analizë të veçantë, duke parë ato që bënë ose jo operacion, shkalla e përhapjes së kancerit ishte rreth 9 për qind për grupin e kirurgjisë dhe 3 për qind për grupin e monitorimit.

Studiuesit do të vazhdojnë të ndjekin pacientet për të parë nëse zbulimi qëndron mbi një dekadë.

Tina Clark, 63 vjeç, nga qyteti Buxton, në shtetin Mein, iu bashkua studimit pasi u diagnostikua me DCIS në vitin 2019. E caktuar rastësisht në grupin vetëm për monitorim, ajo pati mundësi të shmangte operacionin dhe rrezatimin ndërsa kujdesej për rritjen e nipit si dhe përpiqej të kapërcente vdekjen së e të shoqit.

“Ndihem shumë mirënjohëse dhe me fat që e gjeta këtë studim”, tha zonja Clark.

Ajo bën mamografi çdo gjashtë muaj për të mbajtur nën kontroll kancerin e llojit DCIS në gjirin e djathtë, i cili nuk është përhapur. Mamografitë vunë re një kancer të vogël në gjirin tjetër të saj në vitin 2023, të palidhur me DCIS. Ajo iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tij.

“Nëse jeni diagnostikuar me kancer DCIS me rrezik të ulët, keni kohë për të kuptuar më shumë për sëmundjen dhe cilat janë opsionet tuaja,” tha autorja e studimit, doktoreshë Shelley Hwang nga Universiteti ‘Duke’.

Nyjet limfatike dhe kanceri i hershëm i gjirit

Gratë që kryejnë operacion për kancerin e gjirit shpesh i nënshtrohen edhe asaj që quhet biopsi e nyjeve limfatike qendrore, ku hiqen disa nyje limfatike në sqetull për të kontrolluar për përhapjen e kancerit.

Por heqja e nyjeve limfatike mund të shkaktojë dhimbje të qëndrueshme dhe ënjtje të krahut, ndaj po bëhen kërkime për të përcaktuar se kur mund të shmanget një gjë e tillë. Një studim në Evropë vitin e kaluar tregoi se gratë e moshuara me tumore të vogla mund të shmangnin në mënyrë të sigurt këtë ndërhyrje tjetër.

Në studimin e ri, hulumtuesit në Gjermani panë nëse gratë me kancer të hershëm të gjirit që planifikonin të bënin një operacion për heqjen e kancerit, por duke ruajtur gjirin, mund të shmangnin në mënyrë të sigurt heqjen e nyjeve limfatike. Ata ndoqën 4,858 gra të cilave iu caktua rastësisht për të hequr ose jo nyjet limfatike.

Pas pesë vjetësh, rreth 92 për qind e grave në të dyja grupet ishin ende gjallë dhe pa kancer.

“Heqja e nyjeve limfatike nuk rrit shanset për mbijetesë dhe rreziku i rikthimit të kancerit në sqetull është mjaft i ulët kur nyjet limfatike nuk hiqen”, tha doktoreshë Monica Morrow nga Qendra e Trajtimit të Kancerit ‘Memorial Sloan Kettering’.

Ajo shtoi se disa gra do të vazhdojnë të kenë nevojë për procedurën e nyjeve limfatike për të ndihmuar në përcaktimin e trajtimit dhe barnat që duhet të marrin pas operacionit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb