Bashkimi Europian do të monitorojë progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, duke parë jo vetëm miratimin e ligjeve dhe strategjive, por edhe nëse këto reforma janë zbatuar e zbatohen në respekt të vlerave themelore të BE.

Gjatë takimit koordinues me drejtuesit e institucioneve kontribuese për Kapitullin 23: “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo vuri theksin te zbatimi i mëtejshëm i Reformës gjithëpërfshirëse të Drejtësisë, ecuria domethënëse në luftën e parandalimin e korrupsionit dhe forcimi i mëtejshëm në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Ai ripërsëriti deklaratën e Komisioneres së re për Zgjerimin, Marta Kos, e cila më herët është shprehur se ka një perspektivë reale për të sjellë shumë vende kandidate për zgjerim në linjën e finishit gjatë këtij mandati të KE-së.

“Shqipëria e ka sinjalizuar objektivin e saj për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit në fund të 2027-ës dhe Komisioni do të jetë i gatshëm ta mbështesë këtë objektiv ambicioz. Por është përgjegjësi e Shqipërisë të mobilizojë të gjitha burimet politike e administrative për të ecur para në mënyrë vendimtare”, tha Rizzo.

Ai theksoi se fokusi kryesor duhet të jetë zbatimi i angazhimeve të reformave pa asnjë vonesë.

“Kjo nënkupton që progresi i shpejtë, konkret e i drejtë i piketave të ndërmjetme në kuadër të grup-kapitullit të themeloreve është thelbësor për të ruajtur afatet ambicioze. Zbatimi i mëtejshëm i Reformës gjithëpërfshirëse të Drejtësisë, ecuri domethënëse në luftën e parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. BE e ka përcaktuar se cilat janë reformat që duhen arritur. Qeveria ka miratuar udhërrëfyes preciz, duke detajuar angazhimet për reforma. Fokusi kryesor duhet të jetë zbatimi i angazhimeve të reformave pa asnjë vonesë”, nënvizoi Rizzo.

Shpejtësia, theksoi Rizzo, edhe pse ka rëndësi maksimale nuk duhet të jetë në kurriz të cilësisë.

“Objektivi është të arrihet niveli më i lartë i mundshëm i harmonizimit me rregullat, standardet e normat e BE. Sigurisht Shqipëria nuk po e nis nga zero, por po ndërton punën mbi progresin e konsoliduar që ka bërë tashmë. Procesi ka qenë e do të mbetet i bazuar në meritë, vlerësuar mbi arritje reale, progres i prekshëm në kuadër të elementëve më të ndjeshme si liria e medies, lufta kundër korrupsionit, do të jetë përparësi, ndërkohë që në të njëjtën kohë të ruhen reformat e bëra në fushën e drejtësisë. BE do të monitorojë progresin. Ne nuk do të shohim vetëm miratimin e ligjeve dhe strategjive, do të shikojmë nëse këto reforma janë zbatuar e zbatohen në respekt të vlerave themelore të BE”, deklaroi përfaqësuesi i BE.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb