Kosova do të sfidojë në kualifikueset e Botërorit 2026 me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Me Zvicrën, që vlerësohet favorite për ta fituar grupin, “dardanët” kanë luajtur tri herë. Të treja ndeshjet janë mbyllur në barazim.

Më 29 mars të vitit 2022, Kosova barazoi 1:1 në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Letzigrund” në Zurih. Dy barazimet tjera, Kosova i ka në shtator e nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të kualifikueseseve të “Euro 2024”. Kosova dhe Zvicra barazuan më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë 2:2, ndërsa 1:1 kishte përfunduar ndeshja e 18 nëntorit në “St. Jakob-Park” të Bazelit.

Bilanc negativ, Kosova ka me Suedinë e Slloveninë. Me Suedinë, ka zhvilluar tri ndeshje, një miqësore e dy ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022. Ka pësuar shtatë gola dhe nuk ka shënuar asnjë.

1:0 ishte mposhtur në miqësoren e vitit 2020, më 28 mars të vitit 2021 ishte mposhtur në shtëpi 3:0, e me të njëjtin rezultat kishte humbur edhe në transfertë.

Me Slloveninë, “Dardanët” kanë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve në vitin 2020. Më 11 tetor të vitit 2020, Kosova humbi 1:0, ndërsa 2:1 përfundoi ndeshja në Slloveni, më 15 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb