Kampionati mbyll këtë fundjavë gjysmën e parë të tij, ku Vllaznia pothuajse gjatë gjithë kësaj kohe është goditur nga “epidemia” e dëmtimeve.
Një “epidemi” që ndoshta është në kulmin e saj, pasi kuqebluve u mungojnë lojtarë titullarë të rëndësishëm në prag të ndeshjes me Laçin. Shkodranët kanë vuajtur më shumë se asnjë ekip tjetër i Superiores nga ndalesa e futbollistëve të caktuar, madje edhe për disa muaj me radhë. Po të bësh llogari, Vllaznia ka pasur në infermieri më shumë se një formacion që nga muaji korrik e deri më tani. Edhe në ndeshjen e radhës ndaj Laçit mungesat do të jenë të shumta.
Kështu, nga formacioni bazë i skuadrës do të mungojnë plot 5 futbollistë, duke nisur me mbrojtësin e djathtë Gurishta dhe sulmuesin e krahut Gruda. Të dy këta futbollistë madje nuk do të jenë të gatshëm as në duelin e fundit të vitit kundër Partizanit më 21 dhjetor. Për të vijuar me mungesat e Qatos dhe Juriçit. Mesfushori nga Kuçova doli i dëmtuar në sfidën e javës së 17- të kundër Elbasanit, ndërsa kroati vuan një shqetësim prej disa javësh. Asnjëri prej tyre nuk është stërvitur me skuadrën dhe nuk pritet të jetë në gjendje për të luajtur të shtunën ndaj kurbinasve. Po ashtu, mungon prej disa muajsh edhe sulmuesi Matouti, një futbollist që duket se ka dalë jashtë planeve të kuqebluve dhe pritet të largohet në janar.
STOJANOVIÇ – Një shpresë e vogël për stafin teknik të Vllaznisë mund të ketë për Stojanoviç. Mbrojtësi serb ka bërë vrapime këto ditë, por pa pasur mundësinë të bashkohet me grupin, çka e vë në pikëpyetje praninë e tij për ndeshjen e fundjavës. Megjithatë, ai duket para të tjerëve sa i takon rikuperimit. Nëse Stojanoviç mungon sërish, apo e nis nga stoli, gjasat janë që Vllaznia të aktivizojë kundër Laçit sërish Krymin në qendër të mbrojtjes, bashkë me Bajramin. Një situatë kjo që e bën me “dhimbje koke” trajnerin Tomas Brdariç dhe stafin e tij. Gjermani i stolit kuqeblu në fakt nuk është ankuar kurrë për mungesat dhe sërish duhet të shpikë një formacion. Ai me siguri shpreson që me ardhjen e janarit ekipi të forcohet me ndonjë element nga merkatoja e dimrit.