Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të mesme në Fier, ku dy adoleshentë të moshës 17-vjeçare janë përfshirë në një sherr të çastit në oborr.

Si pasojë, njëri prej tyre ka përfunduar në spital pasi është goditur me thikë, ndërsa tjetri është arrestuar dhe marrë në pyetje.

Ngjarja ka tronditur qytetarët lidhur me sigurinë në shkolla. Për News24, qytetarët shprehen se kjo nuk është hera e parë. “Nuk është hera e parë, kanë ndodhur edhe herë të tjera, janë bërë 3-4 çuna bashkë dhe kanë rrahur edhe mësuesin”, thotë qytetari, banor i zonës pranë gjimnazit “Mustafa Hoxha”.

Një banor i zonës thotë se ngjarja është e rëndë. “Sherri nisi dje, dëgjova që kishte shkuar policia, janë thirrur prindërit dhe duket se asgjë nuk është zgjidhur. Ja çfarë ndodhi sot”, thotë qytetari.

Një qytetar thotë se këtu nuk ka siguri në shkolla. “Kemi frikë për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Nuk e ka fajin prindi, unë e dërgoj fëmijën në shkollë dhe iki në punë. Duhet të ketë kontroll të rreptë, duhet të ketë oficer sigurie që duhet të ketë kontrolle. Nxënësi mund të marrë edhe hanxhar me vete”, thotë një tjetër qytetar.

Ndërkohë që sipas një tjetër qytetari nis që nga salla e Parlamentit, atje ku deputetët shahen dhe nuk lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb