41-vjecari nga fshati Bajzë i Shkodrës, Robert Linadi, ka rënë në prangat e policisë spanjolle së bashku me një bullgar e një maroken, të dyshuar se kishin kryer dhe madje po planifikonin grabitje në Majorka të Spanjës.
Sipas policisë spanjolle, ata kryen grabitje në shtëpi në Marratxí, Port d’Andratx, Palma, Calvià dhe Cala Rajada dhe vende të tjera. Grupi kryente grabitje në shtëpi të banuara dhe hiqte kasaforta nga muri. Më 27 nëntor, në lagjen Son Ramonell të Marratxí, hajdutët morën orë, para, bizhuteri dhe sende të tjera personale.

Të mërkurën e kaluar, u krye faza e shfrytëzimit të operacionit Orada/Swiper dhe agjentët e Njësisë së Sigurisë Qytetare (USECIC) të Gardës Civile hynë në tre shtëpi në Génova dhe Cala Major, ku arrestuan tre hajdutët.
Grupi i shpërbërë, sipas Gardës Civile, “kishte planifikuar në mënyrë të përsosur një fushatë grabitjesh për Krishtlindje” në shtëpitë në Majorka, duke përfituar nga udhëtimet e pronarëve në këto data.
Gjatë kontrolleve hetuesit kanë gjetur një kasafortë të vjedhur në Marratxí, si dhe 50 ora, bizhuteri të shumta, telefona celularë dhe rreth 3500 euro para cash.

Kush është Robert Linadi

Robert Linadi, të cilit i është ndaluar hyrja në disa vende evropiane për incidente të ngjashme, ka kryer 17 vjet burg për vrasjen me thikë të 30-vjeçarit Xhevahir Demaj nga Malësia e Madhe në një koncert me 400 pjesmarrës në veri të Londrës në vitin 2004.

Në vitin 2003 ai së bashku me disa djem të tjerë nga Shkodra morën peng në një shtëpi publike në Perëndim te Londrës në lagjen Acton një shtetase shqiptare. Ata i kërkonin tutorit të saj një shumë prej 30 mijë paundësh në këmbim të lirisë së saj. Pas disa ditë survejimi Linadi dhe miqtë e tij rrëmbyes u arrestuan nga skuadra e pengmarrjes pranë Scotland Yardit. Por Robert Linadi do të fitonte lirinë pas tetë muaj qëndrimi në qeli pasi gjykatësi e cilësoi dëshminë e të rrëmbyerës jo të sinqertë pasi ajo nuk tregoi në gjykatë se kishte punuar më parë si prostitutë në Itali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb