Nën titullin “Balta më e ëmbël se mjalti”, shkrimtarja polake Margo Rejmer, sjell një libër me saktësi e mprehtësi kirurgjike mbi Shqipërinë në komunizëm. Nga Bashkim Shehu te Fatos Lubonja, ish të dënuar politikë dhe por nostalgjikë të regjimit, përcjellin Shqipërinë shumëngjyrëshe, ku komunizmi shihet herë si një sistem shtypës e herë përmes optikës së atyre që e mbajtën në këmbë siç shkruan ajo:
“Na ishte një vendparajsë. Ku gjithçka ishte e të gjithëve dhe e askujt. Ku të gjithë dinin të shkruanin e të lexonin por shkruaje vetëm atë që donte pushteti. Ku të gjithë kishin shërbim mjekësor, por njerëzit zhdukeshin pa lënë gjurmë. Ku arsimimi i masave ishte përparësi por kohë pas kohe spastroheshin elitat. Në parajsë nuk kishte të burgosur politikë por kampe riedukimi që synonin të ndryshonin mendësinë e armiqve me tortura e punë të rëndë”.
Në një takim të mbajtur në kuadër të Festivalit të Letërsisë Europiane në Tiranë, ajo u ndal te konceptet e lirisë dhe mënyrës se natyra njerëzore përballet me të keqen.
“Më intereson të kuptoj se si njeriu, reagon ndaj situatave ekstreme që shkojnë kundër natyrës njerëzore”, tha ajo.
Në kuadër te Festivalit, një tjetër takim u mbajt me shkrimtaren franceze Dominik Barberis, që përmes librit të saj “Një mënyrë për të dashur”, sjell fundin e kolonializmit në Kamerun dhe jetën e gruas në vitet ’50, çështjet e transmetimit të kujtesës dhe dekorit historik në letërsi duke vijuar traditën letrare të emrave të mëdhenj francezë.