Delina Ibrahimaj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, e ftuar në emisionin “Kjo Javë në News24, bëri me dije se pak më të privilegjuara nga Granti 2025 janë gratë.
Ajo sqaroi se vlerësimi i aplikuesve në grant bëhet nëpërmjet pikëve, ku gratë marrin automatikisht 5 pikë më shumë që në aplikim.
Ky vendim sipas saj është marrë si një diskriminim pozitiv, referuar edhe faktit që gratë përballen me më shumë sfida në biznes, duke pasur edhe ngarkesën e familjes.
“Shqipëria nuk është keq me shifrat e grave në përgjithësi, jo vetëm në sipërmarrje, shifrat tregojnë që jemi në standardet e BE nuk jemi më mbrapa.
Grave në thirrjet që ne bëjmë iu japim një bonus 5 pikësh, ky është një diskriminim pozitiv pasi duam që gratë të përfshihen më shumë. Gruaja ka shumë sfida që duhet të kalojë, gruaja ka sfida reale kohe që gruaja duhet të kalojë”, u shpreh ajo.
Ministrja ka sqaruar gjithashtu edhe reformën në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Reforma e inspektimeve, reformë e kërkuar prej vitesh nga biznesi, kërkon uljen e numrit të inspektimit, të ketë më shumë inspektime nga zyra se sa në vend, dhe në inspektimin e parë do të lihen rekomandime e jo gjoba. Kjo garanton zbatimin e ligjit dhe nga ana tjetër i jepet hapësirë biznesit të përmirësohet pa u goditur”, tha ajo.
(BalkanWeb)