Ligji për investimet strategjike, afati përfundon në 31 dhjetor 2024. Shtyrja e ligjit argumentohet se ka ende shumë kërkesa për investime

Erjola Jata

Kur kanë mbetur dhe dy javë nga përfundimi i afatit të ligjit për investimet strategjike, qeveria kërkon ta shtyjë atë edhe me dy vjet të tjera. Shtyrja është kërkuar nga deputetja Pranvera Resulaj e cila propozon që afati ligjit për investimet strategjike të jete deri në 31 dhjetor të vitit 2026.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin argumentohet se ka ende shumë kërkesa për investime në sektorët strategjik të vendit. I miratuar në vitin 2015 ligji “Për Investimet Strategjike” u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama” fillimisht me afat deri në vitin 2018.

Shtyrja e fundit ishte në mars te 2024, propozim i cili u bë nga Kryetari i komisionit të ekonomisë Eduart Shalsi. Në amendamentin e depozituar në kuvend, deputetja socialiste Resulaj ka propozuar edhe disa ndryshime të tjera të ligjit që lidhen me funksionimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri

Propozohet që komiteti të marrë edhe kompetenca të reja përfshirë mundësinë për të vendosur për dhënien e përdorimit të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqeneve për stacione plazhi. Deri tani kjo ka qenë një e drejtë e Këshillit të Ministrave. Sipas të dhënave që kur ligji ka hyrë në fuqi janë trajtuar 108 projekte investimi, prej te cilave: 48 kane përfituar status strategjik, 30 projekte janë refuzuar dhe 31 projekte janë në fazë vlerësimi. Ligji i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro. Ndërkohë më herët opozita e ka konsideruar klientelist ligjin e investimeve strategjike dhe ka kërkuar qe te mos shtyhet me afati i tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb