TIRANE
Dy ditë më parë, një video e ikonës së muzikës shqiptare Parashqevi Simaku, u bë virale në rrjetet sociale, ku shihej teksa fliste për ndihmat duke thënë se “na mbajnë gjallë”.
Shqiptarja që gjeti në Nju Jork të shtunën e kaluar ish-divën e skenës shqiptare.
Elvira Tata ka arritur të bisedojë me Simakun në shqip e anglisht dhe sic ajo vetë shkruan, ka edhe video të tjera me këngëtaren e njohur.
“Për të gjithë miqtë e mi jua shuajta pak atë kureshtjen për Parashqevinë. Ajo ishte në gjendje vërtet të varfër, por me një dinjitet të fortë dhe gëzonte shëndet të plotë. Kjo video e shkurtër pasi bëra shumë video së bashku do t’ju tregojë që është një grua vitale, e mençur dhe më shumë dritë”, kështu shkruan Elvira Tata.
Ndërsa në një tjetër video, shqiptarja flet me Simakun, e cila ka folur në shqip pas shumë vitesh, duke thënë se ka vështirësi të komunikojë në shqip, pasi ka shumë vite që nuk e ka përdorur gjuhën e atdheut të saj.
“Me ty për herë të parë që kam folur shqip, kam harruar të gjithë këto vite dhe kam harruar. Studiova në anglisht”, dëgjohet të thotë Parashqevia.
Ndërkohë bashkëatdhetarja e saj i thotë që të mos humbë shpresën dhe se shqiptarët e duan po njësoj, si para shumë vitesh kur adhuronin zërin e saj.
Tata e nxit që të lyej buzët dhe të rishfaqet e bukur para shqiptarëve që dukshëm këto ditë shfaqen nostagjinë për idhullin e tyre të 40-30 viteve më parë…