Egnatia kryesuese luan të dielën ndeshjen e radhës me Teutën, në stadiumin “Niko Dovana”. Tekniku Edlir Tetova është duke përgatitur “kurthin” për të mundur skuadrën e vetme, ndaj së cilës nuk ia ka dalë dot si trajner te rrogozhinasit.
Para kësaj sfide duken të gjitha kartat në rregull, sepse nuk ka asnjë lojtar të pezulluar për arsye kartonësh dhe po ashtu nuk ka as dëmtime. Për më tepër, kampionëve në fuqi u rikthehet pas pezullimit edhe sulmuesi kryesor, Soumaila Bakajoko, i cili me shumë gjasa do të mbajë peshën e repartit të avancuar, duke ulur në stol Jahajën.
Thuhet që kur skuadra funksionon dhe merr rezultate, nuk ndryshon. Kështu pritet të ndodhë edhe ndaj durrsakëve, teksa trajneri Tetova me shumë gjasa do të hedhë në fushë të njëjtët futbollistë dhe me të njëjtën skemë. Dilema e vetme është rikthimi si titullar i kapitenit Renato Malota, i cili vjen nga dëmtimi, apo do të ruhet ende për të mos e rrezikuar. Këto pak dilema tekniku pritet t’i sheshojë pas seancës së fundit stërvitore.
VARËSIA NGA LUSHKJA – Njeriu i momentit tek Egnatia është padyshim mesfushori Regi Lushkja. Mungesa e një sulmuesi potent ka nxjerrë në pah aftësitë e 28- vjeçarit, i cili duket se është rikthyer në ditët e tij më të mira dhe po merr për dore Egnatian me golat e tij. Deri më tani kavajasi është golashënuesi më i mirë skuadrës me 6 gola. Sipas statistikave, ky është sezoni i tij më i mirë në elitë në aspektin personal dhe është Egnatia që po ia merr frytet.
Në 5 sfidat që ai ka shënuar, rrogozhinasit kanë fituar në tri raste, respektivisht me Skënderbeun, Elbasanin dhe Dinamon, ndërsa në dy të tjera ka barazuar përballë Vllaznisë dhe Dinamos. Praktikisht, 11 pikë të këtij edicioni kanë ardhur nga golat e tij dhe rrogozhinasit shpresojnë që mesfushori të ketë të njëjtën performancë edhe ndaj Teutës e në vazhdim. Mesfushori ka luajtur në të gjitha ndeshjet e këtij edicioni, duke treguar se është përshtatur mjaft mirë me skuadrën dhe shihet si një pikë kyçe e grupit që stërvitet nga Edlir Tetova.