Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zhvilloi mbrëmjen e djeshme një takim me diasporën në Slloveni.

Takimi vjen në kuadër edhe të zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen më 9 shkurt.

Duket se edhe Kurti, ecën në të njëjtën linjë me “politikën” e ndjekur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili i ka dhënë prioritet diasporës, pas ndryshimeve që mundësuan votën e emigrantëve në zgjedhjet e 11 majit.

Kujtojmë se Rama ka zhvilluar tashmë disa takime, në Selanik, Athinë, Londër e SHBA me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke u bërë thirrje të bëhen pjesë e zgjedhjeve në vendin tonë.

Zyra për shtyp e kryeministrit Kurti bën me dije se në takimin në Slloveni, kreu i qeverisë së Kosovës u ndal tek arritjet dhe politikat kryesore në këtë mandat.

“Ndër to nënvizoi faktin që jemi qeveria e parë e cila e përmbyll mandatin e plotë, si dëshmi e stabilitetit institucional në Kosovë, i cili është faktor i rëndësishëm si për rritjen ekonomike ashtu edhe për progresin demokratik dhe për sigurinë e vendit tonë.
Bashkatdhetarëve tanë kryeministri i bëri thirrje të vazhdojnë të regjistrohen online në kuadër të regjistrimit të popullsisë deri më 31 dhjetor, duke i inkurajuar t’i deklarojnë edhe dëmet, vuajtjet, humbjet që i kanë përjetuar si individë dhe si familje në luftën e fundit në Kosovë, pasi për herë të parë është duke e bërë regjistrimi i dëmeve të luftës në nivel shteti. Gjithashtu u bëri thirrje që regjistrohen online për votim nga jashtë në mënyrë që të mund të përfitojnë nga lehtësimet që ofron ligji i ri për zgjedhje të përgjithshme, përkatësisht votimin në ambasada dhe konsullata dhe votimin me postë brenda vendit. Afati për këtë regjistrim është deri më 26 dhjetor”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb