Policia në Sarandë ka ushtruar kontrolle në lokale, ku ushtrohet veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit. Efektivët kanë arrestuar një shtetas dhe kanë proceduar një tjetër, pasi janë kapur në flagrancë duke organizuar lojëra fati me celularë.
“Sarandë/Kontrolle të befasishme në lokale ku dyshohet se ushtrohet veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit.
Arrestohet 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, pasi u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra fati, me celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrolleve të befasishme në ambiente të ndryshme, konstatuan se në një lokal në lagjen nr. 1, organizoheshin lojëra fati të paligjshme.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit në lokalin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 43 vjeç, banues në Sarandë, i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
(Balkanweb)