Këshilli i Lartë i Prokurorisë përfundoi më 12 dhjetor 2024 seancën plenare të nisur më 10 dhjetor 2024. Në këtë seancë morën pjesë anëtarët e Këshillit, përfaqësues të misionit OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Seanca filloi me miratimin e procesverbaleve të mbledhjes plenare të datës 13 nëntor 2024. Më pas, Këshilli vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm të prokurorit Platin Aliçka në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në vijim, Këshilli përfundoi pa vendim përfundimtar procedimin disiplinor ndaj ish-magjistratit Lorenc Mërkuri. Gjithashtu, u miratua kërkesa për veprimtari jashtëfunksioni për prokuroren Mediana Meta. Ndërkohë kërkesa për veprimtari jashtë funksioni e prokurorit Maringlen Meta u rrëzua.

Gjatë mbledhjes, Këshilli miratoi raportet e vlerësimit etik dhe profesional për prokurorët Gëzim Spahiu dhe Alma Bramo. Të dy prokurorët u vlerësuan “Shkëlqyeshëm” me pikët përkatëse 394 dhe 388.

Një tjetër vendim i mbledhjes ishte miratimi i projektaktit për verifikimin e pasurisë dhe figurës së prokurorit Albert Murçaj, në kuadër të kandidimit të tij për riemërim në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Bazuar në relacionin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli hodhi shortin për zëvendësimin e dy relatorëve, ish-anëtarë të Këshillit për vijimin e procedurës së vlerësimit të kandidatëve për lëvizje paralele. Si rezultat, relatorët do të jenë z. Sokol Stojani për pozicionin Nr. 1 dhe znj. Ledina Riza për pozicionin Nr.2.

Në përfundim të seancës, Këshilli diskutoi për mundësinë e shfuqizimit të Rregullores për Komunikimin me Media, deri në momentin që do të miratohet një rregullore e re. Në këtë kontekst, Këshilli zgjodhi me votë unanime z. Zeqir Hoda anëtar për komunikimin me median dhe dakordësoi që ai të shqyrtojë kuadrin ligjor mbi Rregulloren dhe në një mbledhje të ardhshme do të relatojë për shfuqizimin ose jo të saj.

Të gjitha vendimet e arsyetura të miratuara gjatë kësaj mbledhjeje, gjenden të publikuara në faqen zyrtare www.klp.al.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: