Kryepeshkopi Paul R. Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mori pjesë në një ceremoni për bekimin e tokës dhe vendosjen e gurthemelit të kishës së re kushtuar papa Gjon Palit II në Baku, sipas një njoftimi të ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

Duke folur në këtë ngjarje, imzot Gallagher tha se ”ky rast ngjall një ndjenjë të thellë për historinë. Në vitin 2002, gjatë udhëtimit apostolik të papa Gjon Palit II, presidenti Heydar Aliyev, babai i ndjerë i kreut aktual të shtetit, mori një vendim historik për t’i kushtuar një ngastër toke një kishe katolike këtu në këtë qytet”.

”Sot, ne jemi dëshmitarë të një vazhdimësie të asaj trashëgimie të jashtëzakonshme në një mënyrë po aq frymëzuese dhe kushtuar papa Gjon Palit II, i cili në vitin 2002 u bë pasardhësi i parë i shën Pjetrit që vizitoi këtë vend të bukur. Kjo kishë do të shërbejë si një simbol i përhershëm i miqësisë së qëndrueshme midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Azerbajxhanit”, theksoi ai.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të organizatave shtetërore dhe publike, të besimeve fetare të Azerbajxhanit, të trupit diplomatik dhe të medieve.

Që nga viti 2012, fondacioni ”Heydar Aliyev” i Azerbajxhanit ka bërë donacione për punimet restauruese në Vatikan, duke përfshirë riparimet në Kapelën Sistine, restaurimin e dy katakombeve të Vatikanit dhe ruajtjen dhe digjitalizimin e dorëshkrimeve antike në Bibliotekën Apostolike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: