Fundjava artistike në Gjirokastër u gjallërua nga tingujt e muzikës jazz, me performancën e grupit të njohur “Aperitivo Italiano”. Tre artistët sollën një repertor të larmishëm, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë për publikun artdashës.
Alessandro Vuono, një nga anëtarët e grupit u shpreh i entuziazmuar për mikpritjen e publikut.
“Ishte një publik i mrekullueshëm këtë mbrëmje, artdashës që ndoqën plot interes koncertin, duke na duartrokitur në momente të veçanta. Ia kaluam me të vërtetë mirë, u argëtuam dhe shpresoj të rikthehemi”.
Anëtarët e tjerë të grupit theksuan lidhjen e veçantë mes jugut të Italisë dhe Shqipërisë. “Për ne ishte me të vërtetë diçka e bukur të vinim ne vendin tuaj sepse me popullin shqiptar kemi marrëdhënie të veçanta. Ne jemi nga Jugu i Italisë kështu që gjithmonë kemi pasur një raport të afërt me Shqipërinë. Ishte diçka emocionuese të ndieje dhe shikoje publikun, i cili nën zë na shoqëronte, duke kënduar gjatë interpretimit tonë”.
“Faleminderit për mikpritjen! Nga Vlora në Gjirokastër, përvoja jonë në Shqipëri ka qenë e mrekullueshme”, thanë artistët.
Pjesë e aktivitetit që mblodhi artdashës qytetarë dhe turistë, ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Akile Provencano, i cili vuri theksin te thellimi i marrëdhënieve mes Gjirokastrës dhe Italisë.