Elbasani luajti mbrëmjen e së shtunës në kryeqytet me Partizanin, ndërsa Tirana në Elbasan derbin me Dinamon. Teksa është i njohur rivaliteti i ashpër mes dy grupimeve ultras, edhe pse në ndeshje të ndryshme, ato janë takuar rrugës për në kthim, në një nga resortet pranë kryeqytetit.
Mësohet se disa ultras të bardhebluve kanë goditur me gurë autobusin në të cilin po udhëtonin ata të Elbasanit dhe më pas janë larguar. Për fat të mirë, situata nuk ka precipituar më tej, ku është evituar përleshja mes palëve.
Për këtë incident kanë reaguar ashpër “Tigrat Verdheblu”. Nga ana tjetër, grupimi “Tirona Fanatics” janë mjaftuar me një “story” në rrjetet sociale, ku duken në autostradë dhe me flakadanë të ndezur, teksa kanë “thumbuar” me një shprehje: “A ndalon tigri në errësirë”. Kjo tregon në njëfarë mënyre se dy grupimet janë ndeshur rrugës për në kthim në qytetet e tyre dhe nuk kanë munguar përplasjet.