Policia në Durrës ka shkatërruar një grup kriminal, në kuadër të një hetimi 4-javor. Ky grup, ku bënin pjesë kinezë e shqiptarë, rekrutonin shtetase nga Kina, që dyshohet se shfrytëzoheshin për prostitucion. Në kuadër të operacionit “Storm” ranë në pranga katër persona.

Gazeytarja Klodiana Haxhiaj raporton për Balkanweb se në kuadër të operacionit “Storm” u vu në pranga shtetasi Guangtai Lin. Procedohen shtetaset; Y. D, T. J, M. H, Q. Zh, Ë. F, J. Y. dhe H. Ch. Shpallen në kërkim shtetasit; Guangcheng Lin dhe Yanxia Zhang.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm”, pas një hetimi 4-javor me metoda proaktive.

Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Goditet një grup i strukturuar kriminal që rekrutonte shtetase nga Kina dhe i sillte në Shqipëri, për t’i shfrytëzuar për prostitucion.

Vihet në pranga një anëtar i grupit, shpallen në kërkim 2 organizatorët dhe procedohen penalisht 7 shtetase nga Kina.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm”, i cili u zhvillua në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.

Në kuadër të këtij operacioni:

-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. L., 50 vjeç, lindur në Kinë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimi i  prostitucionit”;

-nisi procedimi penal për 7 shtetase nga Kina, për veprën penale “Prostitucioni”;

-u shpallën në kërkim shtetasi kinez G. L., 47 vjeç, njëri prej organizatorëve të grupit, dhe shtetasja kineze Y. Zh., 45 vjeçe, menaxhere e grupit, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset kineze rekrutoheshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë shtetasit kinezë G. L. dhe Y. Zh., lindur dhe banues në Kinë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar, pasi i rekrutonin shtetase kineze në Kinë, i dërgonin për kryerjen e aktivitetit kriminal të prostitucionit në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e këtij aktiviteti.

Nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal përfaqësohej në Shqipëri, nga shtetasi G. L., i cili bënte menaxhimin dhe kontrollin financiar të shtetaseve kineze që ushtronin aktivitetin kriminal në Shqipëri. Shumat e parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal, ky shtetas i dërgonte tek shtetasja Y. Zh., që jeton në Bahrein, e cila bënte ndarjen e parave, 25% të fitimit i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagë, në bankë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime per vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera.

Maaterialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb