E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar një takim me një grup deputetësh të PD pak ditë më parë.
Të pranishëm në takimin me diplomaten amerikane kanë qenë Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Tomor Alizoti, Helidon Bushati dhe Kreshnik Çollaku.
Burime pranë takimit saktësuan për gazetarin Osman Stafa se përfaqësuesit e opozitës gjatë takimit ka ngritur disa shqetësime të cilat lidhen me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se mazhoranca përdor asetet e shtetit në funksion të fushatës. Deputetët demokratë kanë denoncuar, sipas tyre, përfshirjen e elementëve të krimit të organizuar në proceset elektorale. Shqetësime ka patur edhe sa i takon hapësirës që i jepet opozitës në Kuvend, uzurpimin siç pretendojnë, të çdo hapësire legjislative apo dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Kërkesën e kahershme për qeveri teknike deputetët e PD e kanë ngritur edhe gjatë takimit me VanHorn.
Sot ambasada Amerikane në Tiranë ndau në rrjetet sociale një deklaratë të Nancy VanHorn në lidhje me zgjedhjet 2025. VanHorn thekson se ka zhvilluar takime si me mazhorancën ashtu edhe me opozitën në lidhje me procesin elektoral të ardhshëm ndërsa ka nxitur palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik të barabartë.
E Ngarkuara me Punë ka pasur një mesazh edhe për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, duke potencuar angazhimin e SHBA për të mos u angazhuar me persona të lidhur me korrupsionin.
“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, thuhet në postim.
(BalkanWeb)