Mjet të pastër presioni ndaj drejtësisë,  e ka cilësuar deputeti i PD-së, Dashnor Sula, Komisionin e Posaçëm parlamentar anti-Korrupsion, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Sula tha se Sali Berisha vërtet është kreu i PD-së, por ai 1 votë ka, nuk është e gjithë opozita, sepse jam edhe unë, janë edhe shumë kolegë të mi.

“Nuk i vjen e keqja Shqipërisë as SHBA nga unë apo Berisha, sepse ne në opozitë jemi. Shikoni, të gjitha denoncimet që janë bërë janë ashtu sikundër janë bërë”, tha Sula. Ai tha se pavarësisht defekteve që ka opozita, ndryshon si dita me natën me këtë mazhorancë të përfshirë në skandale dhe në korrupsion. “Ka njerëz që ka probleme reale me ligjin, çfarë qëndrimi mban ambasada e SHBA ndaj tyre?”, tha Sula në ‘Opinion’ në News24.

Në këtë mënyrë, deputeti demokrat iu përgjigj edhe një reagimi nga Ambasada e SHBA në Tiranë, e cila theksoi se  “ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”.

Por analisti Ben Andoni tha se kulti i Berishës brenda opozitës i jashtëzakonshëm, s’ka kandidat. Ai theksoi se SHBA e ka të qartë se  domaini PS-PD nuk bjerret kollaj.

“Një nga borxhet që i kanë demokracisë është shprishja e asaj që u bë në 2008”, tha Andoni. Përsa i takon Qeverisë teknike, ai u shpreh se ajo mund të realizohet vetëm nëse futet në Kushtetutë, sikundër është në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk besoj se PS do të lejojë që të futet në Kushtetutë. Mazhoranca me mandatin e vet ka mundësi të korruptojë të gjithë procesin”, tha Andoni.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb