Presidenti i Ukrainës Volodymyyr Zelensky nuk është i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump muajin e ardhshëm, u tha presidenti i ardhshëm gazetarëve të hënën.

Trump, i cili mundi rivalen demokrate Kamala Harris muajin e kaluar, do të betohet zyrtarisht si presidenti i 47-të i SHBA-së më 20 janar në një ceremoni inaugurimi në Kapitol në Uashington, DC.

Të hënën, Trump mbajti konferencën e tij të parë zyrtare për shtyp që nga fitorja e zgjedhjeve.

I pyetur nga gazetarët nëse ai e kishte ftuar Zelenskyn, Trump u përgjigj: “Jo, nuk e ftova”. Ai, megjithatë, shtoi: “Nëse ai do të donte të vinte, unë do të doja ta kisha atë aty.”

Trump u takua me Zelensky këtë muaj në Paris së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron për bisedime të përqëndruara në krizën e Ukrainës. Trump tha më pas se donte që armiqësitë midis Moskës dhe Kievit të përfundonin sa më shpejt të ishte e mundur.

NBC raportoi më vonë se ekipi i Trump ka punuar shumë për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë që mund të hapë rrugën për bisedimet e paqes. Trump ka kritikuar vazhdimisht administratën e presidentit aktual Joe Biden për trajtimin e konfliktit dhe ka pohuar se armiqësitë nuk do të kishin shpërthyer kurrë fare me të në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas raportimeve të mediave, Trump ka ftuar presidentin kinez Xi Jinping të marrë pjesë në inaugurim. Ftesa thuhet se është bërë në fillim të nëntorit, menjëherë pas fitores së Trumpit në zgjedhje. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Xi e ka pranuar ftesën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb